Telegrafi

Man City ndalet në shtëpi nga Southamptoni i Brojës

Manchester City ka barazuar ndaj Southamptonit me rezultat 0-0 në ndeshjen e vlefshme për javën e pestë në Ligën Premier.

Ekipi i Pep Guardiolas nuk ka arritur të vazhdoj serinë e fitoreve, pasi pas tri triumfeve ka barazuar në shtëpi ndaj Southamptonit.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me dominim të Cityt, që krijoi shumë raste në tentim të golit të epërsisë.

Megjithatë, edhe përkundër rasteve të shumta, portat mbeten të paprekura dhe ekipet shkuan në pushim me barazim 0-0.

Në pjesën e dytë, përsëri u zhvillua ndeshje e njëjtë me Cityn skuadër më të mirë, më kërkuese dhe me më shumë raste.

Por, njësoj sikurse të parën, mysafirët u mbrojtën mirë dhe arritën në fund të marrin një barazim shumë të vlefshëm 0-0.

Në këtë ndeshje, në minutën e 68-të u inkuadrua edhe sulmuesi shqiptar, Armando Broja, por pa arritur të lë gjurmë.

Pas këtij barazimi, Qytetarët e shohin veten në pozitën e dytë me 10 pikë, ndërsa Southamptoni zë pozitën e 15-të me katër pikë.

Në ndeshjen e ardhshme, City udhëton te Chelsea, ndërsa Southamptoni e pret Wolvesin. /Telegrafi/