Telegrafi

Man City fiton ndaj Southamptonit dhe e mbyll vitin me fitore në Ligën Premier

Man City (Foto: Dan Istitene/Getty Images/Guliver)

 

Manchester City ka fituar në udhëtim te Southamptoni me rezultat 1-3 në ndeshjen e vlefshme për javën e 20-të në Ligën Premier.

Skuadra e drejtuar nga Pep Guardiola i është kthyer fitores pas dy humbjeve radhazi pasi ka fituar në udhëtim te Southamptoni dhe e ka mbyllur vitin me fitore.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë më të mirë të mysafirëve, të cilët edhe arritën të shënojnë tre gola, kundrejt vetëm një të vendasve.

Goli i parë i ndeshjes erdhi në minutën e 10-të dhe ishte David Silva, i cili shënoi për 0-1 pas asistimit të Bernardo Silvas.

Silva duke festuar golin (Foto: Catherine Ivill/Getty Images/Guliver)

Megjithatë, vendasit arritën të kthehen në lojë në minutën e 37-të duke barazuar rezultat 1-1 me anë të Pierre-Emile Hojbjerg.

Në minutat e fundit të pjesës së parë, City arriti të shënojë edhe dy gola, ku i epërsisë 1-2 erdhi si autogol i James Ward-Prowse, ndërsa për epërsinë 1-3 u përkujdes Sergio Aguero.

Aguero shënoi gol të bukur me kokë (Foto: Catherine Ivill/Getty Images)

Në pjesën e dytë, City vazhdoi dominimin e ndeshjes, por nuk ishte shumë i interesuar të shënonte dhe menaxhoi me sukses rezultatin duke arritur të përfundoj ndeshjen me rezultatin e pjesës së parë.

Pas kësaj fitore, City ka 47 pikë në vendin e dytë apo shtatë më pak se Liverpooli në të parin, ndërsa Southampton ka 15 pikë në vendin e 17-të.

Në ndeshjen e radhës, Qytetarët e presin në shtëpi Liverpoolin, ndërsa Southamptoni udhëton te Chelsea. /Telegrafi/

https://www.youtube.com/watch?time_continue=4&v=STyrh3HF1n0

https://www.youtube.com/watch?v=P7ieeB2lpoQ