Kryetari i Komunës së Mamushës, Abdylhadi Krasniç ka bërë të ditur se kjo komunë është renditur e para sa i përket qasjes së qytetarëve në shërbimet e Kujdesit Parësor Shëndetësor, bazuar në Raportin e Performancës së Komunave për vitin 2023.
Sipas tij kjo e arritur ka ardhur si rezultat i punës me përkushtim dhe me planifikim për t’ju ofruar qytetarëve shërbime cilësore shëndetësore, raporton Telegrafi.
“Pajisjet tona moderne mjekësore dhe flota e shërbimeve të urgjencës, ekipi ynë i punonjësve shëndetësorë, shërbimet shëndetësore në shtëpi, mbështetja me barna për pacientët dhe shërbimet tona cilësore 24/7 për qytetarët na kanë sjellë në vendin e parë për sa i përket Kujdesit Parësor Shëndetësor”, ka bërë të ditur Krasniç.
Kujdesi Parësor Shëndetësor është njëra prej fushave të performancës në kuadër të Raportit të Performancës së Komunave. Kjo fushë mat infrastrukturën dhe hapësirat e destinuara për shëndetësinë primare, resurset dhe personelin e mjaftueshëm, si dhe ofrimin e shërbimeve nga niveli komunal.
Sipas të dhënave të raportuara nga komunat, fusha e Kujdesit Parësor Shëndetësor në përgjithësi ka pasur performancë prej 68.61%. Bazuar në raporton e publikuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, Komuna e Mamushës është renditur e para me performancë 100%. /Telegrafi/