Site icon Telegrafi

Mamusha gati për vitin e ri shkollor, shkollat pajisen edhe me disa tabela të mençura

Kryetari i Komunës së Mamushës, Abdylhadi Krasniç ka njoftuar se përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor janë realizuar me kohë. Sipas tij ka pasur angazhime edhe për përmirësimin e kushteve për nxënësit dhe mësimdhënësit e shkollës fillore të mesme të ulët “Anadolu” dhe gjimnazit “Ataturk”.

“Përgatitjet për vitin e ri shkollor janë finalizuar. Mësimi do të nis më 2 shtator. Gjatë verës ka pasur investime dhe donacione për përmirësimin e kushteve të nxënësve dhe mësimdhënësve në shkollat e Mamushës”, ka thënë Krasniç për Telegrafin.

Sipas tij, gjatë ditës së premte janë vendosur edhe shtatë tabela të mençura të dhuruara nga institucionet në Turqi.

“Në kuadër të projektit ‘Përparimi teknologjik në arsimin turk në Kosovë’, gjithsejtë shtatë tabela të mençura janë vendosur në gjimnazin ‘Ataturk’ dhe në ShFMU ‘Anadolu’. Me këto tabela deri diku janë plotësuar nevojat sa i përket tabelave të mençura”, ka thënë Krasniç.

Ai ka theksuar se tani janë krijuar mundësi më të mira për zhvillimin e procesit edukativo-arsimor.

Njëherësh është shprehur mirënjohës për mbështetjen e pakufizuar të institucioneve dhe organizatave të Turqisë për arsimin në Mamushë. /Telegrafi/

Exit mobile version