Telegrafi

Maliqi: Nxënësit më shumë duhet të orientohen në shkolla profesionale

Dje është mbajtur testi i arritshmërisë, një provim kyç ky që vlerëson njohuritë dhe aftësitë e fituara gjatë arsimit të ulët.

Megjithatë, i rëndësishëm jo vetëm për të vlerësuar nivelin e njohurive, por përdoret edhe si një bazë për pranimin e nxënësve nëpër shkolla të mesme.

Meqë ky test është njëri nga faktorët kyç i të ardhmes arsimore, si rezultat mund të shkaktoj edhe stres tek nxënësit. Prandaj, në këtë fazë ëshë jetike mbështetja e prindërve dhe shoqërisë.

Si rrjedhojë e kësaj, drejtoresha e shkollës “Thimi Mitko” Drita Maliqi, në Gjilan, mendon se ky test duhet të largohet.

“Po, mendojmë që duhet të heqet testi i arritshmërisë (semimaturës), e të organizohen teste pranuese për nxënës, në shkolla profesionale”, ka thënë ajo për Telegrafin.

Ajo thekson se duhet të bëhet më shumë analizë dhe punë nga MASHT-i për reforma të reja.

“Duhet të bëhet më shumë analizë dhe punë në këtë drejtim, nga MASHTI – për reforma në arsim, duke ju përshtat kohës dhe kërkesave të së ardhmes”, ka theksuar ajo.

Sipas saj, nxënësit më shumë duhet të orientohen në shkolla profesionale si dhe të hapen drejtime të reja.

“Nxënësit më shumë duhet të orientohen në shkolla profesionale, si dhe duhet të hapen drejtime të reja që të i përshtaten kohës dhe së ardhmes, ngase shumë profesione në të ardhmen do të zhduken e shumë tjera do të lindin, falë zhvillimit të shpejtë të teknologjisë”,ka thënë Maliqi. /Telegrafi/.