Poezi nga: Robert Burns
Përktheu: Alfred Kola
Ju brigje e gërxhe, përrenj përqark
Kështjellës në Montgomeri!
Blerim në pyje e lulet në varg,
Burime që s’i ndot dheri:
Veshjet e para shpalosi Vera,
E mbeta gjersa ra terri;
Se lamtumirën aty e mora
Nga Malësorja Meri.
Ëmbël ka çelur mështekn’ e gëzuar,
Murizi i larm në lulëzim,
Nën hijen e tij aromëlëshuar,
E rroka në gjoksin tim!
Në krahë engjëjsh Orët e arta,
Pluskonin porsi ylberi;
E dashur për mua si dritë e jetë,
Malësorja e ëmbël Meri.
Me shumë betime e përqafime,
Ndarja ishte e dhimbsur;
Dhe, me premtimin për takime,
Veçuam trupat zoritur;
Por, oh! Ra vdekja ftohtësia,
Këputi lulen si perin!
Tash bari i blertë, e dheu i ftohtë
Mbështjell Malësore Merin!
Oh, zbehur, tash, dy buzë trëndafili,
Q’i putha me aq marrëzi!
U mbyll përher’ shikim’ i ndritur
Që dhuroi aq mirësi!
Në pluhur të heshtur tretet tani,
Zemra që më donte sa shteri!
Por ende në zgor të shpirtit tim
Do rrojë Malësorja Meri.