Telegrafi

M-Technologie fiton Kupën e Kosovës në volejboll pas triumfit në finale ndaj Dritës

M-Technologie ka fituar në finale ndaj Dritës me rezultat 3-2 në sete duke u bërë fituese e Kupës në konkurrencën e femrave.

Akti final i Kupës së Kosovës në volejboll në konkurrencën e femrave, ka sjellë një dramë të madhe dhe rivalitet të lartë.

Dueli mes dy ekipeve më të mira të këtij edicioni, Drita dhe M-Technologie, ka sjellë epilog interesant të mbyllur në pesë sete.

Skuadra prishtinase triumfoi 3 me 2 në sete 18:25; 23:35; 30:28; 25:18 dhe 12:15, për ta ngritur trofeun në kryeqytet.

Pavarësisht se avancuan 2:0 në hapje të kësaj finale, M-Technologie u ballafaqua me revanshin e Dritës në dy setet vijues, duke barazuar shifrat në 2:2, për ta dërguar ndeshjen në ‘tie-break’.

Në setin përcaktues, Drita pati nismë të mirë, por prapë ngeci në kuotën e 12 pikëve, pasi në momentet finale, M-Technologie tregoi dëshirë e këmbëngulje për ta marrë Kupën e Kosovës.

Kapitenes Shqipe Kqiku, trofeun ia dorëzuan Ministri për Kulturë, Rini e Sport Hajrulla Çeku dhe Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi.

————-

Kupa e Kosovës (F) – Finalja

DRITA – M TECHNOLOGIE 2:3

18:25; 23:25; 30:28; 25:18; 12:15