Site icon Telegrafi

LVV në Prizren akuzon Komunën për rrezikimin e furnizimit të rregullt me ujë në Has

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren ka akuzuar drejtuesit e Komunës së Prizrenit për rrezikimin e furnizimit të rregullt me ujë të pijes për 14 fshatra të rajonit të Hasit.

Sipas tyre, në kuadër të punimeve të projektit që po zbatohet nga kjo komunë është dëmtuar pellgu ujëmbledhës i burimeve në fshatin Nashec.

“Në punimet që Komuna e Prizrenit është duke i zhvilluar për rregullimin e shtratit të lumit, i cili është afër burimit të ujit të pijshëm – Sozi në fshatin Nashec, operatori ekonomik ka dëmtuar pellgun ujëmbledhës të burimeve, duke ndikuar në rënien e nivelit të ujit të pijshëm ku pamundësohet furnizimi me ujë të pijshëm në fshatrat e rajonit të Hasit: Plane, Gorozhup, Mile, Mazrek, Gjonaj, Grazhdanik, Nashec, Tupec, Atmaxhë, Kobaj, Vlashnjë, Kojush I, Kojush II, Landovicë”, thuhet në reagim, raporton Telegrafi.

Sipas LVV-së, këto fshatra rrezikojnë të mbeten pa furnizim me ujë për javë të tëra.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra në Prizren, shpreh shqetësimin e saj ku për arsye të neglizhencës dhe mosseriozitetit të Komunës së Prizrenit, për javë të tëra rrezikojnë të mbeten pa furnizim me ujë të pijshëm mijëra banorë të fshatrave të Hasit”, përfundon reagimi.

Telegrafi ka kërkuar sqarim nga Komuna e Prizrenit lidhur me këto pretendime dhe pas pranimit të përgjigjes do ta përditësojë lajmin. /Telegrafi/

Exit mobile version