Telegrafi

Luis Enrique: Dominuam lojën, por jemi jashtë – suksese Marokut

Luis Enrique nuk e bën dramë eliminimin me Marokun, duke i komplimentuar kundërshtarët dhe duke iu uruar sukses në çerekfinale.

Trajneri i Spanjës pranoi se skuadra e tij bëri gjithçka mirë, përveç finalizimit, teksa tha se kundërshtarët u shfaqën superiorë vetëm në një pikë, atë të lotarisë së penalltive, ku u treguan më të qetë.

“Ne jemi Spanja dhe duhet ta prezantojmë vendin tonë në të gjithë dimensionet, ndaj i urojmë suksese Marokut për kualifikimin në çerekfinale. Futbolli është një sport i mrekullueshëm, por pak i çuditshëm, pasi kundërshtari bëri më mirë se ne vetëm te lotaria e penalltive”.

“Dominuam gjithë ndeshjen, por në fund e shohim veten jashtë. Tre gjuajtësit e parë i zgjodha unë, por Bono është një portier i madh dhe e tregoi edhe sonte. Keqardhje pasi bëmë shumë mirë, por duhet të presim një tjetër mundësi”.

“Për momentin e vetmja gjë që dua, është të kthehem në shtëpi dhe të takoj familjarët e mi”.

“Tani nuk është momenti, pasi duhet që si fillim të përtyp këtë eliminim. Më pas, javën e ardhshme do të ulemi të diskutojmë”, ka thënë Enrique. /Telegrafi/