Frederik Veseli nuk do të mund të aktivizohet me Empolin, për sa kohë që nuk është zgjidhur ende situata ligjore me klubin e Luganos, i cili po pengon transferimin e tij.
Lojtari pranoi pak ditë më parë për “Panorama Sport” se kishte ende një çështje të pazgjidhur me ish-klubin e tij, ndërsa sot, mediat italiane raportojnë se problemi i futbollistit shqiptar është më i komplikuar sesa mendohej. Kjo është arsyeja se pse Liga e Futbollit në Itali nuk i ka hapur ende dritën e gjelbër aktivizimit të tij.
Sipas “Il Tirreno”, klubi zviceran nuk pranon të nënshkruajë transferimin e futbollistit për të lejuar regjistrimin e tij, me pretendimin se mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare vazhdon të jetë nën kontratë me këtë klub. Drejtuesit e Luganos kanë ngritur pretendimin se futbollisti ka ndërprerë kontratën në mënyrë të njëanshme.
Kjo situatë është më e komplikuar edhe për faktin se rregulloret zvicerane dhe ato italiane për zgjidhjen e çështjeve të tilla, nuk janë të njëjta dhe parashikohet një betejë ligjore.
Në këtë diskutim janë përfshirë edhe avokatët e Empolit, të cilët po mundohen të regjistrojnë sa më parë lojtarin, për të cilin trajneri Martushelo ka vënë veton për ta mbajtur dhe jo për ta huazuar, pasi e sheh mbrojtësin si një investim për të ardhmen.
Veseli kishte edhe një vit të mbetur në kontratën e tij me Luganon, por u largua duke përdorur një klauzolë e cila i jepte mundësinë që të rishikonte parametrat financiarë dhe nëse nuk binte dakord, mund të ikte nga klubi zviceran. Drejtuesit e Luganos deklaruan se kishin mbetur të zhgënjyer nga ky veprim i mbrojtësit, të cilit në fakt i kishin propozuar rinovimin duke i rritur parametrat financiarë të kontratës.