Çështja gjyqësore e hapur nga klubi i Luganos po penalizon karrierën e Frederik Veselit. Mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare i është bashkuar ekipit të Empolit në Serie A, por problemet burokratike nuk i mundësojnë të zbresë në fushë, edhe pse trajneri Martushelo duket i gatshëm t’i besojë një rol protagonisti 23-vjeçarit.
Në ndeshjen e javës së tretë të Serie A, ndaj Crotones, Empolit i mungon qendërmbrojtësi Laurini, i pezulluar. Sipas mediave italiane, trajneri Martushelo ka provuar disa herë Veselin në qendër të mbrojtjes, sepse e sheh si një zëvendësues ideal të Laurinit në këtë pozicion, raporton Panorama. Por ai nuk do të mund ta mbajë as në stolin e rezervave lojtarin shqiptar, i cili nuk ka dokumentet në rregull për t’u aktivizuar në Itali.
Lugano, klubi në të cilin ka luajtur sezonin e kaluar, ka bërë kërkesë që transferimi i lojtarit në Itali të bllokohet, duke ngritur pretendimet se ai ka një kontratë të vlefshme me këtë klub edhe për një tjetër sezon.
Avokatët e Veselit si dhe ata të Empolit, kanë dorëzuar shpjegimet e tyre ne Federatën Zvicerane, por zgjidhja e kësaj çështje po vonohet.