Komuna e Vitisë ka nënshkruar Memorandum Mirëkuptimi me USAID-in në lidhje me zbatimin e përbashkët të aktivitetit Qeverisja e Pronës.
Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti ka pritur në takim Jennifer Ober, drejtoreshë e Aktivitetit të Qeverisjes së Pronës, nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar, me c’rast edhe është nënshkruar memorandumi.
Qëllimi i nënshkrimit të memorandumit është të bashkëpunoj me komunën për përmirësim të sistemit për të drejtat pronësore në Kosovë, në mënyrë që të ulet korrupsioni, të rritet fuqizimi i gruas.
“Me këtë rast ata kanë nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi në lidhje me zbatimin e përbashkët të Aktivitetit Qeverisja e Pronës, që ka si qëllim të bashkëpunojë me Komunën për përmirësimin e sistemit për të drejtat pronësore në Kosovë, në mënyrë që të ulet korrupsioni, të rritet fuqizimi i grave, si dhe të përmirësohen të drejtat formale pronësore dhe investimet në patundshmëri”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, aktiviteti do të kontribuojë në avancimin e zhvillimit të udhëhequr nga niveli lokal dhe do të përqendrohet në forcimin e sistemit për të drejtat pronësore.
“Në partneritet me shoqërinë civile, sektorin privat dhe akterë të tjerë lokalë, Aktiviteti do të kontribuojë në avancimin e zhvillimit të udhëhequr nga niveli lokal dhe, do të përqendrohet në forcimin e sistemit për të drejtat pronësore, duke i përmirësuar proceset e Zyrës Kadastrale Komunale (ZKK) në ofrimin e shërbimeve që i duhen qytetarëve, për formalizim dhe regjistrim të të drejtave të tyre”, thuhet tutje.
Ndryshe, ky memorandum zbatohet nga Tetra Tech ARD, Inc., ndërsa financohet nga USAID-i dhe Komuna e Vitisë. /Telegrafi/.