Luani është artist i kitarës. I njohur dhe vlerësuar jo vetëm në qytetin e Pejës, por edhe nga muzikantët e mëdhenj që kanë bërë emër me kitarë. Jetën e tij ia ka kushtuar tingujve mahnitës, që i kanë buruar mbi telat e kitarës së tij magjike.
Pasioni i kitaristit zgjon kërshërinë për të mësuar për talentin e këtij njeriu të madh, këtij profesori të njohur.
Për dallim nga gjenerata që inspirohej nga rocku, ajo që e tërhoqi Luanin ishte muzika flamengo, të cilën babai i tij e "dashuroi" që në rininë e hershme, atëherë kur – nga fundi i viteve ’30 – në kinemanë e Pejës e kishte shikuar filmin "Netët e Andaluzisë", me artisten dhe këngëtaren e njohur Magdalena Nile del Río – e njohur si Imperio Argentinen – në rolin kryesor.
Që atëherë, babai i Luanit ishte në kërkim të kitarës. Dëshira iu plotësua pjesërisht kur nga një ushtar italian e bleu një mandolinë. Kitarën e vërtetë e mbante në dorë disa vite më vonë, pas Luftës së Dytë Botërore, kur u bë anëtar i shoqërisë kulturoro-artistike – "Përparimi ".
Duke e kujtuar atë kohë, një ndër kitaristët e parë të kitarës klasike – i ndjeri Selajdin Daci – disa ditë para vdekjes, babait të Luanit i kishte thënë: "Luan, Jaha është i pari që e shpërndau virusin e kitarës në Kosovë".
Ishte shumë i vogël kur babai gjente mënyra për ta “furnizuar” me shirita dhe LP të mbushura me qindra këngë dhe kompozime flamengo. Shumë herët kishte mundësi t’i dëgjonte kitaristët, si: Augustin Castello-Sabicas, Carllos Montoya, Nino Ricardo. Pastaj, këngëtarët Angelillo, Juanito Vallderama, Imperio Argentino, Lola Flores, Lolita Sevilla etj. Nuk ngopej duke dëgjuar Filarmoninë e Parisit me veprat nga Mannuell de Falla, Enrico Granados etj., të dirigjuara nga Enrique Jorda.
Ishte kjo koha kur nisi ta tërhiqte edhe kitara klasike, e për të cilën frymëzohej nga Ehat Musa, që ishte tri gjenerata para tij në gjimnaz, por me të cilin pati rastin që të luante në kitarë. “Me Ehatin, më intensivisht fillova të shoqërohesha në vitin 1976. Edhe pse atëbotë ai ishte kitarist i njohur në botë dhe jetonte në Paris, Ehati me vizitat e përvitshme ishte shumë prezent në Pejë. Me shumë dashamirësi ai e përcillte përvojën e tij tek unë dhe shokët e mi, Fuat Kollçaku (i ndjeri ishte njohës i jashtëzakonshëm i kitarës klasike dhe i muzikës klasike në përgjithësi) dhe Xhevdet Sahatçiu (tani profesor i kitarës në Akademinë e Zagrebit dhe në atë të Prishtinës)”.
Gjatë viteve ’80 Luani shoqërohej shumë me Xhevdet Sahatçiun. Ishte koha kur ai, si student i Akademisë në Zagreb, e furnizoi me gjithë literaturën nga repertori i kitarës.
Më 1985 filloi të punonte si bashkëpunëtor i jashtëm në shkollën e muzikës. Ishte hera e parë që hapej një klasë e kitarës në Kosovë. Nga ajo kohë, i kujtohet një gjeneratë shumë e mirë e nxënësve, e cila, fatkeqësisht, dështoi për shkak të situatës politike, si: Valon Sheremeti, Qamil Gashi, Almedin Berisha, Kreshnik Radoniqi, Adrian Sapunxhiu, etj.
Koncerti në Prizren ishte shkas që Luani të ftohej për ta udhëhequr klasën e kitarës në shkollën e muzikës "Lorenc Antoni", ku si bashkëpunëtor i jashtëm punoi në periudhën kohore 1994-2003. Ishte kjo koha kur punonte me gjeneratën e artë të kitaristëve të njohur sot, si: Petrit Çeku, Elvis dhe Gjulian Bytyçi, Drilon Çoçaj, Dukagjin Islamaj etj.
Foto: Dini Begolli