Telegrafi

Lokalizohen ‘kutitë e zeza’ të aeroplanit me 62 pasagjerë që u rrëzua në Indonezi

Zyrtarët në Indonezi kanë deklaruar se i kanë gjetur ‘kutitë e zeza’ të aeroplanit me 62 pasagjerë që u rrëzua në det, menjëherë pas nisjes nga Xhakarta.

Sipas BBC, përcjell Telegrafi, një grup i anijeve të vogla ka qenë duke kërkuar vendin dhe zhytësit e marinës së shpejti mund t’i marrin regjistruesit e fluturimit.

Bëhet e ditur se janë gjetur pjesë të aeroplanit si dhe mbetje njerëzore.

“Ne kemi lokalizuar pozicionin e kutive të zeza, të dyja”, tha Sorejanto Tjahjono, kreu i komitetit të sigurisë së transportit në Indonezi.

“Zhytësit do të fillojnë t’i kërkojnë ato, dhe shpresojmë që nuk do të vonojë shumë kohë që t’i marrim”, u shpreh ai.

Hetuesit janë duke analizuar gjërat të cilat ata besojnë se janë pjesë të avionit.

Në këtë pjesë të Indonezisë, deti është relativisht i cekët dhe moti i keq i cili kishte penguar operacionet e shpëtimit tani është përmirësuar, duke e bërë më të mundshme gjetjen e pjesëve të rëndësishme.

Lexo po ashtu Aeroplani me 62 pasagjerë bie në det, nxirren trupat e parë të pajetë nga uji – televizionet e Indonezisë publikojnë pamjet rrëqethëse

Kërkimi duket se nuk ofron asnjë shpresë për të gjetur ndonjë të mbijetuar. /Telegrafi/