Zyrtarët në Indonezi kanë deklaruar se i kanë gjetur ‘kutitë e zeza’ të aeroplanit me 62 pasagjerë që u rrëzua në det, menjëherë pas nisjes nga Xhakarta.
Sipas BBC, përcjell Telegrafi, një grup i anijeve të vogla ka qenë duke kërkuar vendin dhe zhytësit e marinës së shpejti mund t’i marrin regjistruesit e fluturimit.
Bëhet e ditur se janë gjetur pjesë të aeroplanit si dhe mbetje njerëzore.
“Ne kemi lokalizuar pozicionin e kutive të zeza, të dyja”, tha Sorejanto Tjahjono, kreu i komitetit të sigurisë së transportit në Indonezi.
“Zhytësit do të fillojnë t’i kërkojnë ato, dhe shpresojmë që nuk do të vonojë shumë kohë që t’i marrim”, u shpreh ai.
Hetuesit janë duke analizuar gjërat të cilat ata besojnë se janë pjesë të avionit.
Në këtë pjesë të Indonezisë, deti është relativisht i cekët dhe moti i keq i cili kishte penguar operacionet e shpëtimit tani është përmirësuar, duke e bërë më të mundshme gjetjen e pjesëve të rëndësishme.
Kërkimi duket se nuk ofron asnjë shpresë për të gjetur ndonjë të mbijetuar. /Telegrafi/