Site icon Telegrafi

Lojtari i Llapit që e përjetoi tmerrin nga trajneri Batatina, e akuzoi për humbjen e penalltisë me qëllim

Sulmuesi Berat Hyseni e ka pësuar “tmerrin” nga trajneri Tahir Batatina, pasi e humbi penalltinë në finalen e Kupës së Kosovës ndaj Besës.

Në fakt trajneri llapjan e ka akuzuar Hysenin se e ka humbur me qëllim penalltinë.

“Një vit i plotë me shumë angazhim dhe sakrificë për të pasur suksese skuadra e Llapit dhe në fund akuzohem pa të drejtë. Trajneri ka pasur mosbesim ndaj meje dhe më kanë lënë jashtë formacioni, kurse unë e kam respektuar vendimin e tij ashtu sikurse e kam respektuar edhe gjatë kohës kur kemi qenë në karantinë”, ka thënë fillimisht Hyseni, i cili më pas tregoi në detaje rrjedhën se si ndodhi “përplasja” më trajnerin Batatina.

“Shumë lojtarë të Llapit refuzuan të gjuajnë penalltitë, kurse trajneri me pyeti se a mund të gjuajë unë dhe normalisht se pranova. Trajneri me sugjeroi se ku të gjuajë penallti dhe u mundova të gjuajë pikërisht aty, më pas dështova dhe trajneri më akuzoi se e bëra më qëllim duke mos kursyer fjalët ndaj meje”.

“Fillimisht bisha i mërzitur se e humba penalltinë dhe mos daljen në Evropë, pastaj edhe fjalët e trajnerit dhe atë ditë kam qenë shumë i dëshpëruar. Nuk i kam pritur ato fjalë nga një trajner profesionist, pasi nuk kam kursyer asgjë për Llapin duke sakrifikuar shumë shpeshtë dhe duke qenë vendimtar në shtatë apo tetë ndeshje”, ka thënë Hyseni për “Epokën e re”.

Batatina: Nuk dyshoj te Berat Hyseni

Batatina ka mohuar se ka dyshime se Hyseni e ka humbur me qëllim penalltinë në finale ndaj Besës, por ka mbetur i befasuar se si e ka goditur për faktin se ai është një lojtar më përvojë të madhe.

“Penalltitë janë fat dhe secili nga lojtarët le ta ketë në ndërgjegjen e vetë dhe unë nuk kam të drejtë të akuzoi askënd. Nuk ka dyshime, por e kam qortuar Beratin se është një lojtar më përvojë dhe nuk guxon të godas një penallti në formë të tillë, por kjo mund të ketë ndodhur edhe përshkak të euforisë”.

“Nuk kam dyshime se ai e ka humbur penalltinë me qëllim, pasi në të kundërtën do ta kisha marr masa ndëshkuese”, ka thënë Batatina, i cili është më meritori për rezultatet e mira në vitet e fundit nga skuadra e Llapit. Batatina në fund nuk e ka përjashtuar mundësinë që Hyseni është në edicionin 2017/2018 të luajë për Llapin.

Exit mobile version