Ibracadabra ishte njeriu kryesor i Nerazzurëve, i cili e udhëhoqi skuadrën drejt titullit të radhës. Veç tjerash, Ibra është edhe golashënuesi më i mirë në Kampionatin italian këtë sezon me 25 gola.
Një tjetër lojtar i Interit që është konkurrent për t’u shpallur lojtar i sezonit në Serie A, është Maicon. Mbrojtësi brazilian konsiderohet njëri nga më të mirët në botë në pozitën e tij- mbrojtës i krahut të djathtë, ndërsa pas Ibrahimovicit, ishte pikërisht Maicon lojtari më i rëndësishëm i Interit.
Ndoshta Juventusi nuk luajti siç pritej këtë sezon, mirëpo qendërmbrojtësi italian Giorgio Chiellini, bëri paraqitje shumë të mira me Zonjën e Vjetër, duke ia siguruar vetes një vend në listën e të nominuarve për lojtarin e sezonit në Ligën elite italiane.
I rikthyeri te Genoa, Diego Milito, ishte më meritori për suksesin e sivjetmë të skuadrës gjenovase, e cila siguroi pozitën e pestë ne tabelë. Milito ishte po ashtu njëri nga golashënuesit më të mirë të sezonit me vetëm një gol më pak se Ibrahimovic.
Sido që të jetë, lojtari që u shpall sezonin e kaluar më i miri në Serie A, duhet të shpallet edhe këtë sezon. Derisa sezonin tjetër pati konkurrent të fortë Alessandro Del Pieron, këtë sezon, Zlatan Ibrahimovic është një hap përpara tjerëve.