Telegrafi

Lojtarët që i solli Vedat Bajrami, i përzë klubi i Superligës

Tri përforcimet nga Kongo u transferuan në Istog me bujë të madhe në afatin kalimtar të janarit me ndërmjetësimin e humoristit Vedat Bajramit, por ata nuk kanë bindur klubin e Istogut.

Këta tre futbollistë shiheshin si ‘shpëtimtarë’ për Istogun, në luftën e saj për mbijetesë në Superligën e Kosovës.

Pas 5 javë qëndrimi në Istog, sot në mëngjes fubollistët afrikanë (dy) u nisën për në Kongo, në përjashtim të sulmuesit Hemedi Victor i cili do të provohet tek një skuadër tjetër kosovare.

Premtimet e mëdha nga menaxheri i tyre Luan Ahmetaj që këta futbollistë janë shumë kualitativë dhe do t’i ndihmonin shumë Istogut, ishin vetëm fjalë boshe, pasi që në realitet ndodhi krejt e kundërta.

“Menaxheri i tyre Luan Ahmetaj na pati premtuar se në Istog do të vijnë tre futbollistë shumë kualitativë, por pas vetëm 5 javë qëndrimi ne jemi shumë të pakënaqur me lojërat e treguara nga këta futbollistë dhe kështu që kemi vendosur që t’i kthejmë në Kongo”.

“Sjellja e menaxherit të tyre Ahmetaj është për ç’do kritikë dhe është e pakuptueshme për ne. I bëj apel FFK dhe klubeve kosovare që të kenë kujdes me këtë menaxher pasi që sjelljet e tij nuk janë aspak profesionale dhe nuk i qëndron asnjeherë pas fjalëve të tij”.

“Këta tre futbollistë për këto 5 javë qëndrimi në Istogu na kanë kushtuar pak si tepër, dhe normalisht me këto shpenzime kaq të mëdha, ne si klub kemi pritur shumë nga këta futbollistë, por tash në fund jemi shumë të zhgënjyer. Me këto shpenzime të mëdha për këta tre futbollistë, kemi mundur shumë lehtë që t’i angazhojmë 5 futbollistë kualitativë nga Superliga e Kosovës”.

“Klubi i Istogut i falënderon tre futbollistët nga Kongo, për kontributin e dhënë gjatë kësaj kohe për klubin tonë. I dëshiron shumë suksese në karrierën e tyre dhe ç’do të mirë në jetë”.

“Në tërë këtë situatë doli që më i sinqerti të jetë menaxheri kosovar Vedat Bajrami, i cili gjatë gjithë kohës ishte në kontakt me ne dhe u tregua shumë i sinqertë më klubin tonë. Andaj e falënderojmë menaxherin Vedat Bajrami për një punë të madhe që e ka bërë rreth këtyre tri transferimeve”, tha ndër të tjera menaxheri i Istogut, Faton Bytyçi .

Në fund menaxheri i klubit z.Faton Bytyçi deklaroi së Istogu do të luftojë deri në ndeshjen e fundit për të mbijetuar në Superligë.