Telegrafi

Lojtarët e Evertonit mund të ‘padisin klubin e tyre’ nëse bien nga liga

Lojtarët e Evertonit raportohet se mund të ndërmarrin masa ligjore ndaj klubit të tyre në rast se bien nga liga pas zbritjes së dhjetë pikëve për thyerje të rregullave financiare.

Evertoni gjendet momentalisht në zonën e rënies dhe është duke u përballur me dënimin më të madh sportiv në histori të Ligës Premier, që u bë i ditur muajin e kaluar.

Disa lojtarë të klubit janë të shqetësuar nga fakti që pagat e tyre mund të zbresin deri në 50 për qind në rast se bien nga liga dhe tashmë po konsiderojnë mundësinë për të ndërmarrë masa ligjore për të kërkuar kompenzim, sipas The Sun.

Thuhet se disa lojtarë e ndjejnë se kanë qenë përgjegjës për marrjen e pikëve dhe ky vendim i marrë në dëm të klubit po i kushton atyre me djersën që kanë derdhur në fushë.

Lojtarët që kanë paga të mëdha në klub besohet se e kanë të përfshirë në kontratat e tyre zbritjen e pagës në rast nevoje, teksa ka një numër të madh të tyre që përfitojnë mbi 100 mijë euro në javë.

Si pasojë e kësaj, në rast se klubi bie në kategorinë e dytë të futbollit anglez një pjesë e madhe e lojtarëve do të largoheshin në kërkim të aventurave të reja dhe nuk do të qëndronin me një pagë të reduktuar.

Lexo po ashtu Evertoni pagoi 18 milionë euro për lojtarin që tani luan në ligën e shtatë

Klubi nga qyteti i Liverpoolit paraqiti një apel zyrtar kundër dënimit të tyre dhe çështja e tyre do të shqyrtohet para fundit të sezonit. Ata fillimisht pranuan shkeljen e rregullave financiare, por thanë se ishin ‘të shokuar dhe të zhgënjyer’ nga ashpërsia e dënimit kur u konfirmua muajin e kaluar.

“Klubi i Futbollit Everton ka paraqitur sot te kryetari i panelit gjyqësor të Ligës Premier ankesën ndaj vendimit të një komisioni të Ligës Premier për të vendosur një zbritje prej 10 pikësh për klubin. Një bord apeli do të caktohet tani për të rishikuar rastin”, thuhej në njoftimin zyrtar të Evertonit.