Kombëtarja e Brazilit mbrëmjen e të enjtes zhvilloi duelin e radhës në kuadër të kualifikimeve për Botërorin, Rusia 2018 ndaj Bolivisë.
Megjithatë, për skuadrën e Brazilit nuk ishte fare e lehtë kjo punë, pasi dihet se në Bolivi kushtet janë ekstreme, në lartësi të madhe mbi detare, ku ka mungesë të oksigjenit.
Një mungesë të oksigjenit kanë ndjerë edhe lojtarët e Brazilit, të cilët kanë thithur oksigjen artificial para takimit në Bolivi, e foto e pabesueshme u publikua menjëherë në internet.
Nuk la pa u shprehur edhe vet superylli i Brazilit, Neymar, i cili në Instagram quajti si njo njerëzore rrethanat e zhvillimit të ndeshjes.
“Është jo njerëzore që të luhet në rrethana të tilla”, ka shkruar Neymar në postimin e tij në Instagram.
Ndeshja e cila u zhvillua në Estadio Hernando Siles në La Paz përfundoi pa gola.
Brazili kishte dominimin në këtë takim, duke realizuar 17 goditje në drejtim të portës, por duke mos arritur deri te goli.
Brazili tashmë ka siguruar kualifikimin në Botëror nga vendi i parë me 38 pikë, 10 pikë më shumë se Uruguai në vendin e dytë. /Telegrafi/