Telegrafi

Lojtarët dhe tifozët belg kundër trajnerit, e duan Nainggolanin në Kombëtare (Foto)

Kombëtarja e Belgjikës është ndër të parat që ka siguruar kualifikimin për në kampionatin botëror ‘Rusi 2018’.

Por një tjetër çështje është në Belgjikë, mes trajnerit Roberto Martinez dhe futbollistit fantastik Radja Nainggolan.

Ylli i Romës dhe Serie A, nuk është ftuar në dy grumbullimet e fundit nga trajneri spanjoll dhe kjo ka bërë që të shpërthejnë kritikat.

Baneri i tifozëve belg me fytyrën e Radja Nainggolan në stërvitjet e Kombëtares

Nainggolan është ndër mesfushorët më të mirë dhe më të vlerësuar në botë, por Martinez vazhdon të bëjë ligjin duke mos e ftuar atë.

Së fundmi në stërvitjet e skuadrës belge disa tifozë kishin marrë një transparent ku shihej Nainggolan në mbështetje të belgut.

Por për rastin në fjalë kanë folur edhe futbollistët e grumbulluar nga Martinez, duke treguar haptazi se e dëshirojnë numrin katër të Romës në Kombëtare.

Nainggolan ishte lojtari kryesor i Belgjikës në kampionatin evropian ‘Francë 2016’.

Mesfushori anësor, Thorgan Hazard ka thënë se Nainggolan meriton një vend në Kombëtare.

“Të gjithë i njohim cilësitë që ka Radja. Ai po kalon nëpër një formë mjaftë të mirë me Romën dhe ka treguar edhe më parë se çfarë di të dhurojë për ekipin. Është mëkat që nuk është i ftuar”, deklaroi Hazard.

Nainggolan është lojtari kryesor i Romës këtë edicion në Serie A

Për mesfushorin kryesor të Romës ka folur edhe konkurrenti i tij në Kombëtare, Axel Witsel.

“Nainggolan është një futbollist shumë i mirë dhe tejet i rëndësishëm për ne. Dëshira është që ai të jetë këtu por ne lojtarët nuk mund të vendosim se kush do të ftohet dhe kush jo”, u shpreh Witsel.

Ndeshjen e radhës Belgjika do ta zhvilloj në udhëtim tek Bosnja dhe Hercegovina, ndërsa pas tetë ndeshjeve belgët kanë marrë shtatë fitore dhe një barazim.

Witsel dhe Radja gjatë një stërvitje me Kombëtaren belge

Ndërkohë edhe vet Nainggolan ka thënë javë më parë se po e shqyrton mundësinë të largohet nga Kombëtarja e Belgjikës por ende nuk ka ndonjë vendim përfundimtar nga ylli i Romës. /Telegrafi/