Telegrafi

Loeb fitoi etapën e 11-të, konkurron me liderin Stephane Peterhansel

Sebastien Loeb rikthehet të fitojë një etapë në Rally Dakar. Në kategorinë e makinave, piloti francez i Peugeot e bëri të veten etapën e 11-të të kësaj gare me kohën 3 orë 21 minuta e 15 sekonda.

Në vendin e dytë u rendit rivali i tij, Stephane Peterhansel, me vetëm 18 sekonda më shumë, ndërsa vendi i tretë ishte për argjentinasin ‘Terranova’.

Në renditjen e përgjithshme vazhdon të jetë në krye Peterhansel me një diferencë prej 5 minutash e 32 sekondash kundrejt bashkëkombësit të tij, Loeb, i cili ndodhet në vendin e dytë, transmeton TCH.

Në kategorinë e motorëve, spanjolli Joan Barreda shënoi një tjetër fitore duke e përvetësuar etapën e 11-të me kohën 3 orë 16 minuta e 57 sekonda.

Në vendin e dytë u pozicionua portugezi Goncalves me 1 minutë e 50 sekonda më shumë, ndërsa në të tretin doli holandezi Van Beveren.

Në klasifikimin e përgjithshëm të kësaj kategorie, Sunderland është i sigurt në vendin e parë i shkëputur me 33 minuta e 9 sekonda nga Walkner në vendin e dytë, ndërsa i treti është Farres Guell.