Telegrafi

Llullaku vazhdon me formën e mirë, këto skuadra e kërkojnë

Forma e shkëlqyer që po shfaq këtë sezon me Gaz Metanin e kanë bërë Azdren Llullakun të kërkohet nga shumë skuadra.

Për 28-vjeçarin e Kombëtares shqiptare mësohet se ka shfaqur interes Steaua e Bukureshtit në Rumani, si dhe klube nga Turqia.

Gjithashtu ditët e fundit u fol edhe për një interesim nga PAOK-u, por sipas mediave greke, klubi nga Selaniku nuk ka ndërmend të vihet në lëvizje për sulmuesin nga Istogu.

Llullakut, i cili është shënuesi më i mirë i ligës së parë rumune me 12 gola në 14 ndeshje, i përfundon kontrata me Gaz Metanin në fund të këtij sezoni, ndaj gjasat janë të mëdha që ai të ndryshojë mjedis.

Ai sot dha një asistim të bukur në sekondat e fundit duke i dhënë fitoren skuadrës kundër CSM Iasi.