Rreth 10 mijë shikues nuk i ndihmuan Llapit që të fitojë ndaj Buducnostit në ndeshjen e zhvilluar në “Fadil Vokrri” në kuadër të Ligës së Konferencës e cila u mbyll 2-2.
Ndeshja e parë e zhvilluar në Podgoricë ishte mbyllur 2-0 në të mirë të malazezëve, duke bërë që këta të fundit me rezultat të përgjithshëm 4-2 kaluan tutje.
Llapi e nisi më mirë takimin, por që nga rastet e krijuara nuk erdhi goli.
Buducnosti me rastin e parë serioz ka kaluar në epërsi ndaj Llapit. Në minutën e 23-të realizoi Viktor Gjukanovic, pas një veprimi mjeshtëror në zonën e Llapit, duke e lënë në gjumë Kushtrim Shabanin dhe pastaj edhe portierin Ilir Avdyli.
Firmino kishte disa raste, por topi nuk shkonte në portë nga goditjet e tij.
Por Llapi arriti të barazojë rezultatin në 1-1 në fund të pjesës së parë. Firmino realizoi nga penalltia për ta hapur sërish ndeshjen.
Kur pritej që Llapi të e nis në mënyrë të furishme, Buducnosti shënoi golin e dytë.
Zhvillohej minuta e 65-të kur realizoi Viktor Djukanovic për 2-1.
Llapi u kthye në lojë në minutën e 70-të.
Me një gol të bukur nga distanca, Albion Kurtaj i Llapit ka barazuar rezultatin në 2-2.
Goditja e Kurtajt që hyri në lojë në pjesën e dytë u devijua dhe përfundoi në rrjet.
Llapi ka mundur ta fitojë ndeshjen, por Festim Alidema në kohën shtesë dështoi nga pika e bardhë.
Llapi eliminohet për të dytin vit që në raundin e parë të kësaj gare. /Telegrafi/