Telegrafi

Llapi dënohet nga UEFA me 58 mijë euro dhe një  ndeshje pa tifozë për incidentet me Buducnostin

Komisioni Disiplinor i UEFA-s e ka dënuar ashpër Llapin, për shkak të incidenteve në ndeshjen e kthimit ndaj Buduconistit në kuadër të rrethit të parë të kualifikimeve për Ligën e Konferencës, e cila u luajt në Prishtinë më 14 korrik.

Llapi ndeshjen e radhës evropiane do t’i luajë me tribuna të zbrazëta, ndërsa një tjetër ndeshje pa publik mund ta luajë nëse incidentet do të përsëriten në dy vitet e ardhshme.

Klubi nga Podujeva është dënuar me 50 mijë euro gjobë për sjelljes raciste të tifozëve, hyrjes së tyre në fushë, hedhjes së sendeve dhe pishtarëve dhe mesazheve provokuese.

8 mijë euro të tjera dënim shkojnë për bllokimin e rrugëve të kalimit afër stadiumit.

Javën e kaluar, Buducnosti u gjobit me mbylljen e tribunës veriore dhe gjithsej 35.375 euro, për shkak të sjelljes raciste të tifozëve dhe hedhjes së sendeve në fushë në ndeshjen e parë me Llapin.

Buducnost kaloi në raundin tjetër – fitoi 2-0 në Podgoricë, ndërsa ndeshja e dytë përfundoi 2-2. /Telegrafi/