Telegrafi

Llapi barazon me Shkupin, eliminohet nga Liga e Konferencave

Llapi nuk ka arritur më shumë se një barazimin 1-1 ndaj Shkupit në ndeshjen kthyese të Ligës së Konferencave.

Ndeshja e parë ishte mbyllur 2-0 në të mirë të shkupjanëve, që kalojnë tutje në raundin e dytë.

Llapi e nisi mirë ndeshjen duke radhitur disa raste në pjesën e parë dhe duke dominuar plotësisht, por fati nuk ishte me ta.

Në pjesën e dytë skuadra e Tahir Batatinës mbeti me një lojtar më pak pasi Bunjamin Emini u ndëshkua me karton të kuq.

Nga kjo përfitoi Shkupi që kaloi në epërsi me golin e Ali Adem në minutën e 78-të.

Por llapjanët arritën shpejtë t’i barazojnë shifrat.

Ishte Drilon Fazliu që shënoi për 1-1 në minutën e 83-të të takimit.

Deri në fund nuk kishte më gola dhe Llapi eliminohet nga garat evropiane. /Telegrafi/