Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka thënë se pushteti lokal i ka vuajtur disa vendime të nivelit qendror, më i rëndi është Kontrata kolektive.
Lladrovci thotë se këto shqetësime i ka paraqitur në takim me kryeministrin Albin Kurti, transmeton Telegrafi.
“Kontrata kolektive na ka sanksionuar, sivjet, deri në këtë moment janë ekzekutuar 2,647,959.79 euro, të marra nga projektet kapitale, të dedikuara për ndërtimin e sheshit, ndërtimin e kolektorëve, asfaltimin e rrugëve, digjitalizimin e shkollave, kabinetet e shkollave, etj. Në vitin 2023, me përmbarues na janë marrë 986,531.66 euro, ndërsa në vitin 2022, po ashtu, me përmbarues na janë marrë 2,417,150.58 euro”, thotë ai.
Tutje, ai ka pohuar se “si pasojë e ekzekutimit të vendimit përmbarimor në vitin 2022, nga Zyra Kombëtare e Auditimit kemi marrë Opinion të Kualifikuar për Pasqyrat Financiare dhe për këtë jemi diskualifikuar nga Granti i Performancës”.
“Ne kemi qenë të poentuar në vend të parë, njëjtë me komunën e Rahovecit dhe dëmi i shkaktuar në terma financiar llogaritet të jetë rreth 2,000,000.00 euro. Për këto dëme të mëdha për qytetarët e komunës së Drenasit ndër vite, ne i kemi paditur dy ministritë dhe do të kërkojmë kompensim. Vetëm për tri vjet, dëmet e shkaktuara ndaj komunës së Drenasit për investimet kapitale, janë 6.051.642.10 euro”, ka shkruar ai në postimin në Facebook. /Telegrafi/