Site icon Telegrafi

Lladrovci: Me dhimbje pranova lajmin se ka ndërruar jetë Kaidanow, mike dhe kontribuuese e lindjes së shtetit të Kosovës

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka thënë se me dhimbje ka pranuar lajmin se ka ndërruar jetë Tina Kaidanow, mike dhe kontribuuese e lindjes së shtetit të Republikës së Kosovës.

Lladrovci ka pohuar se ajo ka qenë diplomate e shkëlqyer, transmeton Telegrafi.

“Ajo ishte diplomate e shkëlqyer amerikane e karrierës, njohëse shembullore e rrethanave ballkanike, e cila në momentet kyçe, i kontribuoi përfarimit të shteteve aleate dhe të BE-së për qëllimin tonë madhor, shpalljen e Kosovës shtet të pavarur dhe sovran. Karriera e saj politike e filluar në Ballkan, në Beograd, Shkup dhe Sarajevë, do të kurorëzohej në Prishtinë, në kohën kur bëheshin përgatitje për shpalljen e Pavarësisë dhe vet akti i Shpalljes së pavarësisë”, thotë ai.

Tutje, ai ka shtuar se “për kohën sa isha shef i Kabinetit të Kryeministrit Çeku, qëndrimi i saj i vendosur për të ardhmen e Kosovës, nga fillimi i shërbimit të saj në krye të diplomacisë në Prishtinë më 2006, e deri në përfundim të mandatit të saj më 2009, për mua mbetet kapitulli më i shkëlqyer i diplomacisë amerikane”.

“Kosova është storje suksesi duke iu falënderuar personaliteteve politike si mikja e Republikës së Kosovës, Tina Kaidanow! I përjetshëm do të jetë kujtimi për Ambasadoren Tina Kaidanow”. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version