‘Opera’ e përgatitur nga Mourinho doli në skenë më e fuqishme se kurrë duke qenë tejet mirë e koordinuar, e përcjellë nga dy-tri ‘simfoni’ të cilat tingëlluan për mrekulli, siç ishte p.sh. ndalimi i të ashtuquajturit ‘jashtëtokësorë’, Lionel Messi.
Ishte kjo një javë kur edhe njëherë erdhi në pah aftësia taktike e Jose Mourinhos, ndeshje të cilat nxorën në pah edhe merkaton e gabuar të Real Madridit, pasi dy prej ish-lojtarëve të këtij klubi po marshojnë drejt finales, derisa mbretërit shikojnë nga televizori.
Mesjava ishte tejet e nxehtë dhe eksplozive në Ligën e Kampionëve, kur Interi dhe Bayerni filluan t’ia marrin erën titullit të më të mirit të Evropës, duke iu afruar finales pas fitoreve. Italianët e Inter shkëlqyen ndaj Barcelonës duke shënuar një fitore të rëndësishme prej 3-1 në San Siro, falë golave të Sneijder, Maicon dhe Milito. Në anën tjetër Arjen Robben edhe njëherë ia tregoi Real Madridit se pse gaboi që e shiti, duke shënuar edhe njëherë nga distanca për fitoren minimale të Bayernit ndaj Lyonit në Allianz Arena.
Më poshtë janë rreshtuar heronjtë dhe të dështuarit e ndeshjeve të para gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve:
Heronjtë
Jose Mourinho (Inter): Edhe njëherë tregoi se pse është një prej trajnerëve më të mirë në botë, që i gjen taktikat e tij të zbatuara në fushë. Interi ia lejoi Barcelonës posedimin e topit në hapësirat ku nuk kishin efekt, kurse në brendësi, Interi shtypi Barcën, ia vodhi posedimin e topit, për të lansuar disa kundërsulme të shpejta nga të cilat, nerazzurët i shënuan të tre golat.
Javier Zanetti (Inter): Para ndeshjes u fol se Interi nuk do të mund ta ndalte futbollistin më të mirë në botë Lionel Messi, por ky i fundit shfaqi vetëm një pjesë të vogël të magjisë, pasi që u hesht plotësisht nga bashkëkombasi i tij, Javier Zanetti.
Arjen Robben (Bayern Munich): Pa kurrfarë dyshimi, holandezi është futbollisti më i rëndësishëm këtë sezon në Ligën e Kampionëve. Pa të Bayerni do të eliminohej edhe nga Fiorentina, do të deklasohej nga Manchester United dhe do të barazonte me Lyonin në Allianz Arena. Robben e vulosi lojën me një projektil të butë nga largësia për t’u bërë i vetmi yll në Munich.
Të dështuarit
Ibrahimovic, Dani Alves, Busquets (Barcelona): Se Ibrahimovic është një prej transferimeve më të dështuara të sezonit u pa edhe në ndeshjen e fundit ndaj ish-klubit i tij. Ibra lëvizi me ‘çikë të zorit’ nëpër fushë, duke rezultuar në fund me një distancë vrapimi të përafërt me atë të portierit Victor Valdes.
Daniel Alves definitivisht e humbi betejën e parë ndaj Douglas Maicon, duke qenë i pafuqishëm të ndalë një Goran Pandev. As Sergio Busquets nuk ishte më i mirë. Ai dështoi të mbrojë Barcelonën nga sulmet e Interit, duke u mundësuar mesfushorëve kundërshtar të komunikojnë më lehtë me sulmin e tyre.
Mario Balotelli (Inter): Definivitisht, njeriu më i përfolur në botën sportive ditëve të fundit. Reagoi tmerrshëm ndaj vërshëllimave të tifozëve të Interit, duke u larguar nga loja pa festuar për fitoren, hodhi fanellën e tij në tokë për të nxitur dhe reagimin e Materazzit që ta sulmojë atë. Nata e Balotellit do të mund të ishte më ndryshe, nëse do ta pranonte pasimin e Sneijderit që u tregua egoist në rastin e fundit ideal për Interin në sfidë.
Gjyqtarët në Inter-Barcelona: Gjyqtari portugez, Olegario Benquerenca me në krah asistentët e tij Jose Manuel Silva Cardinal dhe Bertino Miranda bënë një numër gabimesh fatale gjatë gjithë takimit. Goli për 3-1 i Militos ishte pozitë jashtë loje që është parë dhe nga hëna, ndërsa Barcelonës iu mohuan dy situata kontroverse për penalti. Interi është dënuar pa të drejtë me offside në fillim të takimit, në momentin kur Milito ishte vetë përballë me Valdesin. Kishte zëra për manipulim të gjyqtarit, kur dihet se Benquerenca dhe Mourinho janë miq të vjetër, të cilët kanë dhe një restorant në bashkëpronësi në Portugali. Sidoqoftë, Interi ishte skuadra më e mirë edhe pse takimi ishte objekt i disa gabimeve kontroverse.
Franck Ribery (Bayern Munich): Ishte kjo një javë katastrofale për francezin, pasi së pari ai u përfshi në një skandal seksual me një të mitur, ndërsa më pas nuk arriti t’i heshtë këto telashe kur u ndëshkua me karton të kuq për një ndërhyrje brutale në Lisandro Lopezin. Për fat të Ribery dhe Bayern, Robben ishte përsëri shpëtimtari. /Telegrafi/