Telegrafi

LK: Formacioni i rrethit të parë çerekfinal

Formacioni më i mirë i rrethit të parë çerekfinal në Ligën e Kampionëve (4-4-2):

Portier:

Hugo Lloris – Lyon

Francezi bëri një gabim në fillim të takimit kur pranoi një gol, por më vonë u stabilizua. Në fraksionin e dytë të takimit ndaj Bordeaux, Lloris tregoi se kush është me disa intervenime fenomenale për ta mbajtur në lojë Lyonin. Edhe njëherë ai vërtetoi se është një ndër portierët më të mirë të kohës në botën e futbollit.

Mbrojtës:

Daniel Alves – Barcelona

Ishte kyç në mjeshtërinë e Barcelonës ndaj Arsenalit. Ai shfaqi energji si në sulm ashtu dhe në mbrojtje duke komunikuar mirë me mesfushën dhe duke bërë harkime të sakta për sulmuesit.

Alexei Berezutski – CSKA Moska

Rusi ishte fituesi i dueleve të ajrit në Meazza, duke qëndruar stabil para portës së vet dhe si një vigan i vërtetë shpëtoi skuadrën me intervenimin nga vija fatale në goditjen e Pandevit. Definitivisht CSKA duhet t’i falënderohet këtij njeriu pse është ende në garë.

Walter Samuel – Inter

Me Lucion të suspenduar, i ashtuquajturi ‘Muri’ ishte i çeliktë me në krah Marco Materazzin duke parandaluar rastet e pakta të CSKA-s. Kjo është edhe një paraqitje fantastike e argjentinasit që është në formën e tij jetësore.

Holger Badstuber – Bayern Munich

I riu gjerman shfaqi maturi të jashtëzakonshme përkundër 20 vjetëve të tij në fitoren e madhe të Bayernit ndaj Manchesterit. Mbrojtësi ushqeu Riberyn me topa non-stop dhe nga ana tjetër ia bëri Nanit futbollin bajat. U duk të jetë më i sigurt në top gjatë pjesës së dytë.

Mesfushorë:

Mark Van Bommel – Bayern Munich

Mesfushori agresiv holandez kreu përsëri punën e tij me përpikëri të plotë duke luftuar në çdo cep të mesfushës. Ai është ‘fajtori’ kryesor pse Bayerni ishte në gjendje të bëjë atë rikthim sensacional në pjesën e dytë ndaj Unitedit, përkundër mungesave të Arjen Robbenit dhe Bastian Shweinsteigerit. Ai edhe një herë tregoi natyrën e tij prej një komandanti në fushë.

Cesc Fabregas – Arsenal

Çfarë paraqitje e kapitenit të Arsenalit. A ndodh ndonjëherë që ky futbollist të mos jetë në formacionet javore? Jo. Vetëm në rast të ndonjë suspendimi apo lëndimi. Fabregas ishte larg prej formës më të mirë fizike, por ai tregoi se është në gjendje edhe të vdesë për ekipin, duke marrë karton të verdhë për t’u suspenduar dhe duke u lënduar pas goditjes së penaltisë. Paraqitje shumë e mirë, në ndeshjen ndoshta të fundit të tij për këtë sezon.

Xavi – Barcelona

Për mjeshtrin e mesfushës blaugrane, çdo fjalë është e tepërt. Definitivisht shembull për futbollistët tjerë se si duhet të krijohen veprat artistike në fushë. Ishte fajtori kryesor për bllokimin e Arsenalit në pjesën e parë, me disa asistime të klasit botëror. Me mjeshtri përgatiti bombardimin e Ibrahimovicit në golin e dytë. Pritet të jetë njeriu kryesor në ndeshjen kthyese.

Dejan Stankovic – Inter

Paraqitje e hekurt e mesfushorit, që vodhi, vodhi dhe vodhi topa në mesfushë sa nuk mundi më. Sulmet fillonin nga ai por nuk kishin se nga kush të përfundoheshin. Paraqitja më e mirë e këtij sezoni.

Sulmues:

Lisandro Lopez – Lyon

Shënoi dy gola dhe ishte shumë i mirë në disa raste ndaj Bordeaux, duke e fituar ndeshjen. Ai ishte arkitekti i shumë aksioneve para gjashtëmbëdhjetëmetërshit duke tentuar t’i vë përpara bashkëlojtarët e tij.

Zlatan Ibrahimovic – Barcelona

A ka arritur më në fund Ibra t’i bindë kritikët e tij në Angli? Golat i shënoi shumë lehtë, duke i heshtur të gjithë kritikët. Ibrahimovic ndoshta nuk po tregon paraqitje fenomenale në La Liga, por Barcelona e ka transferuar për të tilla raste, ndeshjet e mëdha, kur Lionel Messi izolohet nga shumë lojtarë. Ai humbi shumë raste por golat e shënuar nga ai janë golat e këtij rrethi në Ligën e Kampionëve.

                                             Lloris 

                    Alves – Berezutsky – Samuel – Badstuber

                    Van Bommel – Fabregas – Xavi – Stankovic

                                      Lisandro – Ibrahimovic
/Telegrafi/