Kryetari i Komunës së Ferizajt Agim Aliu ka njoftuar se është liruar nga detyra drejtorin për Shërbime Publike Arben Halilin. Kryetari Aliu, nuk ka treguar ndonjë arsyeje pse drejtori Halili po largohej nga kjo detyrë.
“Drejtori i deritanishëm i Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Emergjencë, Arben Halili, u lirua sot nga detyra. Drejtori Arben do të mbetet shembull i përkushtimit, dinjitetit, shërbimit me nder e zell të veçantë, përgjegjësisë e mbi të gjitha qasjes pozitive karshi kërkesave të qytetarëve e gjithnjë në shërbim të tyre. Drejtorin Arben e falënderova për punën e angazhimin e tij, për sukseset që bashkë arritëm si dhe i urova mbarësi në rrugëtimin e tij”, thuhet në njoftimin e Aliut, përcjellë zyra për informim në këtë komunë.
Telegrafi ka kontaktuar me drejtorin në dorëheqje Arben Halili i cili ka thënë se tashmë ka dhënë dorëheqje edhe nga strukturat e AAK-së , parti kjo që është në bashkëqeverisje me PDK-në në Ferizaj.
“Me dëshirë kam dhënë dorëheqje nga pozita e drejtorit, por edhe nga të gjitha strukturat politike në AAK. E kam menduar mirë paraprakisht dhe nuk kam pasur asnjë presion nga askush. Unë do të kthehem në arsim si mësimdhënës aty ku isha vite më parë. Deri tash më është ruajtur vendi i punës aty dhe unë do të vazhdoi punën time si mësimdhënës”, ka thënë Halili. /Telegrafi/