Sulmuesi i krahut, Lirim Kastrati ka shënuar het-trik në fitoren e skuadrës së tij MOL Fehervarit në ndeshjen miqësore ndaj ekipit të kategorisë së dytë, Budafoki MTE.
Kastrati e nisi nga minuta e parë ndeshjen me Fehervarin dhe luajti deri në minutën e 71-të, por që i mjaftoi të shënojë tre gola.
Kastrati fillimisht shënoi në minutën e 5-të, ndërsa pesë minuta më vonë e realizoi edhe golin e dytë. Het-triku u kompletua në pjesën e dytë, në minutën e 62-të të ndeshjes.
Lojtari u nda i kënaqur me paraqitjen dhe thotë që nga ndeshja në ndeshje po e gjen formën e tij.
“Në fushë jam ndjerë mirë, pavarësisht se kemi luajtur një ndeshje përgatitore, e kemi marrë seriozisht. Luajtëm mirë, jam gjithashtu i lumtur që arrita të shënoj tre gola, por aq më tepër që fituam. Herën e fundit në shtator 2018, si lojtar i Lokomotivës së Zagrebit shënova het-trik kundër Slaven Belupos në kampionatin kroat, të cilin e fituam 5-2”.
“Ndihem më mirë nga stërvitja në stërvitje, nga ndeshja në ndeshje, tre golat tani më kanë ndihmuar edhe në vetëbesimin. Kam të gjithë mbështetjen nga stafi profesional dhe klubi dhe jam duke punuar për të shënuar sa më shumë gola në të ardhmen. Ky ishte het-triku im i parë në ekipin, por shpresoj që të mos jetë i fundit” , ka thënë Lirim Kastrati për faqen e klubit.
Kastrati iu bashkua Fehervarit në fund të afatit kalimtar të verës nga Legia e Varshavës, duke nënshkruar kontratë deri në vitin 2025.
Lojtari nuk është ftuar nga Alain Giresse për ndeshjet e muajit shtator./Telegrafi/