Site icon Telegrafi

Lirie Dedvukaj: Jam malësore me virtyte

Intervistoi: Fabjola Kuburi

Lirie, ke edituar klipin tënd më të ri, “S’më meriton”. Na trego diçka më shumë … Si është realizuar ky klip dhe kush të ka mbështetur në realizimi e tij?

Ideja e këngëtareve, zakonisht, është që pasi realizojnë një këngë, të bëjnë edhe një klip për të. Në bashkëbisedim me autorët e këngës, Shpat Kasapin, Afërdita Dreshajn dhe shumë të tjerë që morën pjesë në realizimin e këtij klipi, lindi ideja për bashkëpunim me Max Production. Në fund, doli kjo që është sot. Jam shumë e kënaqur me punën e të gjithë atyre që morën pjesë në këtë projekt.

… ku je shfaqur më e këndshme se kurrë! Kujt ia dedikon performancën tënde?

Çdo herë, performancën time ia dedikoj publikut tim. Vërtet u përpoqa duke menduar se çfarë e si të paraqitem, por fatmirësisht, pata edhe mbështetjen e dy kushërirave të mia. Qupi, e cila jeton në SHBA, ku studion për Modë, më bëri stilimet për tre skena, si dhe modelja Tika Ivezaj, më lidhi me dizajnerin italian që jeton Lei Marko, që më lejoi të përdorja fustanin e zi nga koleksioni 2012. Unë i falënderoj pa masë për mbështetjen dhe ndihmën e tyre.

Në fakt, cila është Lirie Dedvukaj-Sinishtaj?

Liria është një malësore shqiptare me moral e virtyte të pastra, me karakterin e saj besnik dhe të sinqertë.

Duke u kthyer pas në kohë, na trego, si u gjende në Amerikë?

Amerika i ka të gjitha fajet! (Qesh) Ajo ka të veçantën që të tërheq, të bën për vete. Unë i fillova studimet në Prishtinë dhe mbas një viti gjysmë, vendosa të shkoja në SHBA për të studiuar gjuhën angleze atje.

A e gjete atë që prisje?

Po, atje kam gjetur atë që prisja dhe atë që desha; atë që vërtet kërkoja prej Amerikës.

Cila është "dhurata" më e bukur që të ka bërë Amerika?

Më pranoi si rezidente të saj, kur jo shumë njerëz e kanë pasur këtë fat. Unë vërtet jam me fat që arrita të bëhem pjesë e saj.

Çfarë të motivoi për t’u larguar nga malësia?

Malësinë e dua dhe e kam në zemër. Studimet ishin faktori i parë që më bëri të largohem. Pastaj, këtë e përforcoi edhe lidhja me bashkëshortin tim, Markun.

Çfarë të mungon nga vendlindja?

Prania më e shpeshtë e familjes, shoqërisë dhe e publikut që kam atje.

A është e lehtë të ecësh përpara, në një vend si Amerika?

Në çdo hap të jetës, Amerika të ofron kushte që të ecësh brenda kufijve, të drejtave e lirive që ajo ka. Mendoj se, si asnjë vend tjetër në botë, Amerika të mundëson një jetë më të lehtë, me plot kushte.

Kemi kohë që nuk të shohim në ekran. Pse kjo mungesë dhe pse e zgjodhe rikthimin tani?

Mendoj se duhet të jem e pranishme më shpesh, por kam munguar në kryeqendrat shqiptare, Tiranë e Prishtinë, për shkak të procedurës së ngadaltë të fitimit të dokumenteve për udhëtim të lirë. Tashmë, do të jem më e pranishme, jua premtoj!

Liri, kur e kuptove që mund bëheshe këngëtare?

Dëshirën për të kënduar e kam pasur shumë herët, por në fakt, në skenë, kam dalë në moshën 9-vjeçare. Pas asaj daljeje, kam qenë kudo në skenat ku kishte adhurues të muzikës shqiptare…

Çfarë ke ndjerë gjatë viteve, duke pasur parasysh që je rritur bashkë me këngën?         

Vetëm kënaqësi! Kuptohet që çdo punë ka edhe lodhje, por kënga është pjesë e pandashme e jetës sime.

A mund të na thuash sa këngë ke kënduar deri sot?

Kam realizuar tre albume dhe disa këngë singëll. S’i numëroj dot të gjitha këngët, janë kaq shumë!

Cili mendon se është çelësi i suksesit tënd?

Origjinaliteti, vokali im, sjellja dhe performanca ime e sinqertë ndaj publikut.

A e mbani mend këngën e parë?

Është një këngë folklorike që e kujtoj dhe e këndoj me mall. Titullohej “A e din moj hanë” dhe është kënga që unë vërtet e kam më shumë për zemër.

Cili ose cila ka qenë këngëtari apo këngëtarja që ju e keni pasur si shembull?

Nuk kam pasur ndonjë të veçuar, por kam pëlqyer shumë këngëtarë, kam mësuar dhe ende vazhdoj t’i ndjek shembujt e mirë të çdonjërit prej tyre.

Çfarë ndjen kur dikush të thotë që je një malësore e vërtetë?

Më bën të ndjehem mirë; është ajo që unë vërtet jam!

Çfarë raportesh ke me kolegët e tu?

Jam e sinqertë dhe mundohem të ruaj raporte të mira ne secilin; me ata që i njoh, sigurisht!

Çfarë do të thotë për ty të këndosh? Çfarë është vetë kënga për ty?

Kjo është një pyetje për të cilën vetvetiu lind përgjigjja: Kënga është vetë jeta ime!

Niveli i klipeve tani, sigurisht që është më i mirë nga i një dekade më përpara. Cilat janë anët pozitive dhe negative të këtyre zhvillimeve?

Përvoja të bën të mësosh në gabime. Pastaj zhvillimi i cilësisë teknike dhe shumë elemente të tjera, të cilat në kombinim me njëri-tjetrin, e bëjnë atë të ecë përpara.

Kalojmë pak në fushën sentimentale. Si po të shkon jeta martesore?

Fort mirë! Jam shumë e kënaqur … Ndihem shumë mirë me Markun; është njeriu që më plotëson dhe e bën të bukur jetën time.

Çfarë duhet të ketë një martesë që të funksionojë?

Si fillim, partnerin duhet ta kesh shok dhe pastaj, bashkëshort. Duhet të ketë patjetër respekt dhe sinqeritet të ndërsjellë. Pa këto, nuk mund të kesh një marrëdhënie martesore të këndshme.

Si ke arritur t’i bashkërendosh familjen dhe karrierën?

Përkrahjet e para fillojnë nga vetë familja, kështu që më kanë përcjellë e më përcjellin edhe sot e kësaj dite dhe shpresoj t’i kem përgjithmonë.

Dimë që bashkëpunon shumë me vëllanë tënd, Luigjin. Si është puna me një familjar?

Vërtet shumë, shumë mirë. Është i sigurt, i qëndrueshëm, pa dorëza dhe është privilegj ta kesh anëtar familjeje dhe njeri besnik tëndin, që të përkrah.

Je shumë e angazhuar e gjithë kohës në lëvizje. A ke thënë ndonjëherë: “Mjaft më”?

Ndodh që të lodhesh dhe njeriu ka nevojë për pushime, ama jeta artistike kërkon lëvizje dhe s’ka të ndalur.

A e ke menduar ndonjëherë me se do të ishe marrë nëse nuk do të ishe bërë këngëtare?

Nuk e di. Në të vërtetë, nuk e kam menduar asnjëherë, ndoshta nga fakti që kam nisur shumë herët të këndoj dhe kënga ka pushtuar gjithë jetën e qenien time.

Duke pasur parasysh që ti ke shumë adhurues meshkuj, a nuk bëhet xheloz bashkëshorti yt?

Jo, nuk ka arsye për t’u bërë. Xhelozia ka gjithmonë një arsye.

Ndonjë album, në dukje?

Ende vazhdoj me këngë dhe nuk është se kam në plan ndonjë të tillë, por nuk e përjashtoj mundësinë.

Çfarëdo të presim nga Liria në të ardhmen?

Angazhime me rastin e gëzimeve familjare, festave dhe këngë me klipe të tjera. Gjithçka të bukur, vetëm për publikun tim. /Telegrafi/

Exit mobile version