Telegrafi

Liridon Krasniqi shënoi golin e parë me Kombëtaren e Malajzisë

Liridon Krasniqi (Foto: Football Association of Malaysia)

Futbollisti shqiptar, Liridon Krasniqi ka gjetur golin e parë me fanellën e Kombëtares së Malajzisë.

Krasniqi u bë futbollisti i parë shqiptar që përfaqëson një kombëtare aziatike, pasi mori shtetësinë e Malajzisë dhe FIFA ia lejoi këtë gjë, pasi më parë kishte luajtur me Përfaqësuesen e Kosovës.

30-vjeçari nga Kosova kishte luajtur për disa vite në kampionatin elitar të Malajzisë, duke bërë federatën e tyre të mendojnë ‘natyralizimin’ e tij.

Më 3 shkurt 2020, Federata e Futbollit të Malajzisë njoftoi se Krasniqi kishte marrë nënshtetësinë malajziane pasi kishte qëndruar në vend për gati pesë vjet, dhe ishte gati të luante për kombëtaren e Malajzisë.

Lexo po ashtu Liridon Krasniqi merr pasaportën e Malajzisë, tani pritet të luajë edhe për Kombëtaren aziatike

Më 10 maj 2021, ai mori një ftesë nga Malajzia për ndeshjen miqësore kundër Bahreinit dhe ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës “Katar 2022” kundër Emirateve të Bashkuara Arabe, Vietnamit dhe Tajlandës.

Tetëmbëdhjetë ditë më vonë, Krasniqi bëri debutimin e tij në një ndeshje miqësore kundër Bahreinit pasi u emërua në formacionin fillestar.

Megjithatë, vetëm tani, pas gjashtë ndeshjeve, Krasniqi ka gjetur golin e parë me fanellën e Malajzisë.

Krasniqi ka arritur të tund rrjetën në miqësoren e së shtunës ndaj Singaporit, të cilën Malajzia e humbi me rezultat 2-1.

Sulmuesi nga Kosova u inkuadrua në pjesën e dytë dhe shënoi një gol të bukur në minutën e 57-të për të barazuar shifrat, por në fund Malajzia e tij humbi. /Telegrafi/