Telegrafi

Liridon Krasniqi ndihet i lumtur, rikthehet me gol pas gati një viti jashtë fushave

Ylli nga Kosova, Liridon Krasniqi është kthyer në fushat e blerta pas gati një viti i lënduar, ndërsa ka shënuar gol në një ndeshje miqësore para-sezonale.

Liridon Krasniqi ka kryer transferimin e tij te Johor Darul Ta’zim në Malajzi në verën e vitit 2019.

Megjithatë, 28-vjeçari nga Kosova nuk ka arritur të zhvilloj asnjë ndeshje shkaku i një dëmtimi që e mbajti jashtë për rreth një vit.

Lexo po ashtu Gjest i jashtëzakonshëm i Liridon Krasniqit dhe klubit të tij Johor, i ndihmojnë 30 familje në Shqipëri

Por, sot (e shtunë) Krasniqi është kthyer në fushë në fitore e ekipit të tij 4-0 ndaj Kuching FA, në një miqësore para-sezonale.

Ish-reprezentuesi i Kosovës ka arritur të lë gjurmë në këtë rikthim duke arritur të gjej golin në minutën e 71-të, ndërsa ishte inkuadruar si rezervist.

Ky gol dhe rikthimi në fushat e blerta e ka lumturuar Liridon Krasniqin, i cili ka shkruar edhe në profilin e tij zyrtar në Instagram.

Liridon Krasniqi gjatë ndeshjes

“Jam shumë i lumtur që kthehem në fushë pas gati 1 viti me lojën time të parë dhe golin e parë, dhe jam mirënjohës që jam pjesë e këtij ekipi të shkëlqyeshëm”.

“Sot ishte një ditë e mirë, një paraqitje e shkëlqyer në para-sezon. Tani ne duhet ta mbajmë atë dhe të punojmë shumë. Natën e mirë”, ka shkruar Krasniqi. /Telegrafi/