Site icon Telegrafi

“Liria u dënua, por Vëllaznimi jo”- gjakovarët u amnistuan nga Komisioni Disiplinor edhe pse kishin faj sipas avokatit Gent Gjini

Pas ngjarjeve të dhunshme në ndeshjen midis Lirisë dhe Vllaznimit, vendimi i Komisionit të Etikës së Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) ka shkaktuar reagime. Liria kishte fituar ndeshjen me rezultat 1-0.

FC Liria u ndëshkua me një gjobë prej 2000 euro dhe dy ndeshje pa praninë e tifozëve, ndërsa Vllaznimi nuk u ndëshkua, pasi ishte në cilësinë e mysafirit dhe organizimi i lojës bie mbi supet e vendasve.

Ky vendim është kritikuar nga avokati Gent Gjini, i cili ndoqi nga afër këtë rast, pasi ishte në mbrojtje të njërit nga tre tifozët e arrestuar pas ndeshjes, ka shprehur bindjen se vendimi i komisionit është i padrejtë. Sipas tij e gjithë kjo erdhi pasi në ndeshjen e parë kishte dhunë ndaj prizrenasve.

Sipas tij, Vllaznimi ka qenë një nga faktorët kryesorë që nxitur eskalimin e dhunës në ndeshjen e parë kur gjakovarët ishin vendas në stadiumin “Liman Gegaj”, ku Liria ishte mysafire.

“Tifozët e FC Lirisë u sulmuan nga tifozët e KF Vllaznimit në ndeshjen e parë, dhe kjo nuk duhej të anashkalohej”, theksoi ai.

Një tjetër pikë kritike është mosndëshkimi i gjuhës raciste dhe urrejtëse të përdorur nga KF Vllaznimi. Në faqen e tyre zyrtare, klubi përdori fjalën “kriminel” për të ofenduar FC Lirinë, duke përfshirë tifozët, menaxhmentin dhe klubin në tërësi.

“Kjo gjuhë nxitëse dhe urrejtëse u anashkalua nga komisioni, gjë që tregon një aplikim të standardeve të dyfishta: njëra palë ndëshkohet, ndërsa tjetra amnistohet”.

“Para se të merrte një vendim përfundimtar, komisioni duhej të hetonte më thellë dhe të ndëshkonte të dyja palët nëse kishte fakte që tregonin përgjegjësi të përbashkët,” u shpreh ai.

“Kjo nuk është gjë tjetër veçse drejtësi selektive,” përfundoi Gjini. /Telegrafi/ 

 

Exit mobile version