Telegrafi

Liria triumfon kundër pozheranasve, ngritet në pozitën e katërt të Superligës

Liria ka shënuar fitore në takimin e parë të sezonit pranveror të Vala Superligës së Kosovës në futboll.

Prizrenasit kanë triumfuar para shikuesve të vetë në stadiumin Përparim Thaçi kundër Vllaznisë së Pozheranit me rezultat 2-1.

Gjatë gjithë ndeshjes dominuan vendasit, por shikuesve i është dashur të presin pjesën e dytë për të shikuar golin e parë.

Në fakt, pjesa e parë përfundoi pa gola, megjithëse “Arpoagjik’t” kishin disa raste për tundjen e portës së kundërshtarëve.

Një ndër rastet më ideale e pati mesfushori me tipare sulmuese dhe kapiteni i ekipit, Meriton Korenica. Ky i fundit e goditi shtyllën pas një goditje të fuqishme të topit në minutën e nëntë të takimit.

Artur Magani, zëvendësuesi “i artë” i vendasve, i solli vendasit në epërsi në të 51-të pas një goditje precize të topit.

Por, vetëm tre minuta zgjati avantazhi i bardhezinjve, pasi që gjithçka barazoi Orhan Miftari.

Megjithatë, sulmuesi Magani sërish u përkujdes që në të 60-tën të shënoj golin e dytë personal, përkatësisht të dytin për Lirinë.

Deri në fund të takimit më nuk pati gola dhe kështu, prizrenasit triumfuan me rezultat minimal 2-1.

Pas kësaj, Liria ngritët për një vend në renditjen tabelore duke u pozicionuar e katërta në saje të 31 pikëve, Vllaznia mbetet në fund të tabelës me tetë pikë. /Telegrafi/