Telegrafi

Liria shpëton me spektakël, Drita dhe Ferizaj në barazh

Festa e futbollistëve të Lirisë pas fitores ndaj Trepçës

Tanimë është zyrtare, Liria ka mbetur në elitën e futbollit kosovar derisa Drita dhe Ferizaj do të luajnë në barazh.

Liria ka arritur të mbetet në elitën e futbollit kosovar pas një stinori me ulje dhe ngritje.

Skuadra prizrenase në ndeshjen e fundit ka siguruar matematikisht Superligën duke e mposhtur Hajvalinë e rënë tashmë nga liga.

Prizrenasit triumfuan me rezultat të thellë 9-1, duke mbetur pjesë e elitës së futbollit kosovar edhe për një stinor.

Pas 33 javëve, Liria ka grumbulluar 37 pikë me 10 fitore, shtatë barazime dhe 16 disfata.

Ndërkohë Drita ka mbetur në barazh edhe pse ka triumfuar përballë Besës së Pejës me rezultat 2-0.

Semir Zeneli shënoi golin e parë për Dritën në minutën e 23-të.

Golin e dytë për gjilanasit e shënoi talenti Leotrim Kryeziu nga penalltia.

Në barazh së bashku me Dritën ka mbetur edhe skuadra e Ferizajt që u pozicionua në vendin e 10-të.

Ferizaj në ndeshjen e fundit u ndesh me finalistin e Kupës së Kosovës Llapin duke humbur 1-2.

Kushtrim Shabani dhe Berat Hyseni shënuan golat për Llapin, ndërkohë Shkumbin Salihu realizoi për vendasit.

Llapi përfundoi stinorin në pozitën e tretë në tabelë me 68 pikë, ndërkohë Ferizaj në të 10-tën me 32 pikë. /Telegrafi/