Elbasan Gashi, Florent Osmani dhe Burhan Aliji, bashkë me Valon Bytyqin (nuk është në fotografi) janë përforcimet e fundit të Lirisë.
Pas paralajmërimeve ditë më parë për përforcimet e reja në skuadër ekipi bardhezi nga Prizreni, Liria, ka prezantuar sot lojtarët e rinj të skuadrës për pjesën pranverore të saj, njofton Borozani.
Në fakt, Liria ka kthyer dy mbrojtësit e skuadrës, Elbasan Gashi dhe Valon Bytyqi, që kanë qenë pjesë e Hajvalisë në pjesën vjeshtore të stinorit.
Më pas, janë prezantuar edhe përforcimet nga Maqedonia, Florent Osmani dhe Burhan Aliji.
Në emër të Bordit të klubit lojtarëve u ka uruar mirëseardhje Erxhan Dana, ndërsa edhe kryetrajneri Agron Beseni u ka dëshiruar punë të mbarë e suksese lojtarëve të rinj në skuadër.
Liria ka përfunduar vjeshtën në Superligë në pozitë të shtatë. Ekipi prizrenas ka siguruar 20 pikë nga 17 xhirot e para, ku ka shënuar gjashtë fitore, dy barazime dhe nëntë humbje.