Pas kërkesës së Llapit që të hiqet neni që detyron skuadrat të inkuadrojnë një futbollist nën moshën 20-vjeçare në lojë, ka reaguar klubi prizrenas, Liria.
Këta të fundit kanë kërkuar nga Federata e Futbollit të Kosovës që ta shtojnë këtë numër nga një në dy, përcjellë “GazetaOlle.com”.
“KF Liria nga Prizreni përmes kësaj shkrese ju njofton se sa i takon nenit 22 të Propozicioneve të garave, ku thuhet:’ në ekipet e seniorëve, në të gjitha rangjet e garave, në mënyrë obligative, duhet të paraqiten në Protokolin e ndeshjes së paku dy (2) lojtarë, që nuk kanë kaluar moshën 20 vjeçar, ndërsa njëri prej tyre doemos duhet ta fillojë ndeshjen’, duhet të mos hiqet”.
“Madje, ne si klub jemi të mendimit që të ndërhyhet në këtë nen ashtu që : ‘Ndeshjen ta nisin obligativisht dy futbollistë nën 20 vjeç’. Mendojmë, se fuqizimi i këtij neni i kontribuon afirmimit të të rinjve nga i cili do të përfitonin vetë të rinjtë, klubet por dhe Kosova në tërësi. Ndryshe, heqja e nenit 22 ashtu siç është dëmton avancimin e të rinjve dhe nuk përkrahet nga KF Liria”.