Telegrafi

‘Liri për babin’ – Luis Diaz pasi shënoi gol i dërgon mesazh babait të rrëmbyer

Anësori i Liverpoolit, Luis Diaz tregoi një mesazh për babain e tij të rrëmbyer pasi shënoi golin e fundit në barazimin kundër Luton Town (1-1).

Ylli kolumbian u kthye në aksion për Reds për herë të parë që kur prindërit e tij – Luis Manuel Diaz dhe Cilenis Marulanda – u rrëmbyen nga një grup kryengritës militant i quajtur Ushtria Çlirimtare Kombëtare (ELN).

Diaz e filloi në bankinë të dielën dhe u fut në lojë nga Jurgen Klopp në minutën e 83-të, vetëm tre minuta pasi Tahith Chong kaloi në epërsi Lutonin.

Në minutën e 95-të, anësori shënoi me një goditje të shkëlqyer me kokë nga harkimi i Harvey Elliot për të shpëtuar dështimin e skuadrës së tij.

Pasi shënoi golin shumë të rëndësishëm, Diaz ngriti fanellën e tij për të treguar një mesazh kushtuar babait të tij, i cili ende nuk është lëshuar nga rrëmbyesit.

26-vjeçari iu bashkua stërvitjes së Reds në fillim të kësaj jave dhe sipas Klopp, ai u stërvit mirë me ekipin pavarësisht tragjedisë në jetën e tij personale.

Performanca e tij në fushën stërvitore e shtyu trajnerin gjerman ta merr në skuadër për përplasjen ndaj Lutonit. /Telegrafi/