Site icon Telegrafi

Lipjani përfiton mbi një milion euro nga Granti i Performancës

Komuna e Lipjanit edhe sivjet është përfituese e Grantit të Performancës për transparencë të qeverisjes lokale nga niveli qendror.

Në njoftimin e komunës thuhet se vlerësimi i 27 treguesve të matshëm ka sjellë një rezultat të mirë për Lipjanin, duke konfirmuar suksesin dhe efikasitetin e administratës.

“Me këtë grant, në vlerë prej 1,041,389.61 euro, do të realizojmë projekte të rëndësishme të investimeve në infrastrukturë, të cilat do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë”, thuhet në njoftim.

Projektet që do të realizohen janë: Ndriçimi publik në fshatin Jeta e Re, asfaltimi i rrugicave në lagjen Pojata në Krojmir, ndërtimi i Shtëpisë Muze të veteranëve të UÇK-së në Krojmir, rikonstruimi i rrugës “Poturovc – Ribar i Madh”, ndërtimi i murit Gabion në Gadime të Ulët (afër shpellës), rikonstruimi i rrugës Sllovi – Dobratin, asfaltimi i rrugicave në Magure, Verrshevc, Leletiq, Poturovc, Torinë dhe Bujari dhe asfaltimi i rrugicave Llugaxhi – Dobraj e Madhe. /Telegrafi/

Exit mobile version