Telegrafi

Lindjet pa dhembje (lindje me Epidurale)

Dr. Ismet Jusufi
Specialist i Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intenziv
Spitali Amerikan
038 221 661 / 045 500 910
www.spitaliamerikan.com

Për shumicën e grave në Kosovë është akoma një ëndërr e parealizueshme ideja që të kenë një lindje normale dhe mos t’i përjetojnë dhembjet e lindjes, që sipas përshkrimit të tyre janë mjaft të forta dhe shpeshherë edhe të padurueshme. Një pjesë e madhe apo mund të themi që pjesa më e madhe e tyre as nuk e dinë që është e mundur të lindësh normal dhe të mos përjetosh dhembje, çka e bënë procesin e lindjes një proces të këndshëm dhe shumë më të gëzueshëm.

Në Kosovë, ekziston akoma një hezitim i madh për këtë metodë për shkak të stigmës dhe njohurive të pamjaftueshme mbi përparësitë e kësaj metode. Por, lindja pa dhembje si mundësi, duhet t’i ofrohet thuajse çdo gruaje edhe këtu tek ne.

Çfarë është në të vërtetë lindja pa dhembje me Epidurale?

Kjo nënkupton vendosjen e një kateteri në hapësirën epidurale në regjionin lumbar, përmes të cilit administrohen anestetikë lokal (bupivacaine apo ropivacaine), me anë të cilëve bllokohet dhembja pa e ndaluar procesin e kontraksioneve të mitrës që janë të domosdoshme për procesin e lindjes.

Vendosja e kateterit epidural bëhen në hapësirën epidurale në nivel L2-L3 ose L3-L4, pra rreth 2 nivele më poshtë se sa niveli ku mbaron palca e kurrizit, pra në nivelin më të ulët të shpinës, çka e bënë të parrezikshme për lëndimin e palcës së kurrizit.

Gjithashtu me medikamentet që sot përdoren për lindje pa dhembje me Epidurale, është e mundur që pacientja të ecë gjatë procesit të lindjes (walking epidural) dhe është vërtetuar që nuk e zgjatë procesin e lindjes edhe kur vendoset në stadin e hershëm të lindjes.

Përparësitë e lindjes pa dhembje

Duke mos pasur dhembje, gruaja shtatzënë është shumë më e relaksuar, është më bashkëpunuese dhe procesi i lindjes realizohet në kushte shumë më të favorshme si për nënën, për beben e gjithashtu edhe për stafin gjinekologjik që udhëheq lindjen.

Gjithashtu përmes kateterit epidural mund të realizohet edhe anestezi nëse gjatë procesit të lindjes paraqitet nevoja e intervenimit kirurgjik (prerjes cezariane), çka eviton rrezikun e një anestezie gjenerale me gjithë komplikimet e mundshme të saj.

Çfarë duhet për të realizuar një lindje pa dhembje?

1. Anesteziologu që e ka njohurinë dhe përvojën e duhur për administrimin e kateterit epidural dhe menaxhimin e lindjeve pa dhembje.
2. Gjinekologu që ka përvojën e duhur në menaxhimin e lindjeve pa dhembje.
3. Mjetet e nevojshme për vendosjen e kateterit epidural.
4. Barërat e nevojshme për administrim për realizimin e lindjes pa dhembje.
5. Monitorimi i domosdoshëm i nënës dhe fetusit.

Çfarë duhet bërë para se të realizohet një lindje pa dhembje?

1. Është e domosdoshme që disa ditë para lindjes të konsultohet anesteziologu, i cili merr informata nga shtatzëna për gjendjen e saj shëndetësore, për problemet e mundshme të mëhershme dhe dhënia e sqarimeve lidhur me procedurën e vendosjes së kateterit epidural.
2. Bërja e analizave të domosdoshme paraprake për të eliminuar ndonjë problem të mundshëm që do ta pamundësonte apo do ta bënte të rrezikshëm vendosjen e kateterit epidural.
3. Informimi për çdo hap që shoqëron vendosjen e kateterit dhe menaxhimin e mëtejshëm të lindjes pa dhembje.
4. Vendosja e besimit reciprok pacient-mjek.

Tek cilat gra mund të realizohet lindja pa dhembje me kateter epidural?

Lindja pa dhembje me kateter epidural mund të realizohet tek të gjitha gratë përveç atyre që:

1. Kanë sëmundje të koagulimit (mpiksjes) të gjakut.
2. Infeksion në vendin e vendosjes së kateterit.
3. Hipertension intrakranial.
4. Placentë previa, hematomë retroplacentare.
5. Pamundësi të monitorimit të vazhdueshëm të rrahjeve të zemrës fetale (RZF)
6. Vuajtjes akute të fetusit që kërkon një intervenim urgjent.

Teknika e vendosjes së kateterit epidural

1. Pozicioni ulur dhe shumë rrallë lateral
2. Gjetja e hapësirës interspinoze L2/L3 ose L3/L4
3. Dezinfektimi i lëkurës me Betadinë
4. Vendosja e mbulesës sterile me vrimë
5. Infiltrimi i lëkurës dhe hapësirës interspinoze me anestetik lokal
6. Gjetja e hapësirës epidurale me metodën e humbjes së rezistencës (shiringë me rezistencë të ulët e mbushur me aqua destilata)
7. Pas gjetjes së hapësirës, vendosja e kateterit 3-4 cm në hapësirën epidurale.
8. Fiksimi i kateterit
9. Testi i aspirimit dhe dhënia e test dozës me Lidokainë me Adrenalinë.
10. Fillimi i administrimit të anestetikut për ta realizuar lindjen pa dhembje.

Kateteri epidural hiqet sapo të përfundoj procesi i lindjes. /Telegrafi/