Telegrafi

Limaj: Vushtrria do të ketë përkrahje nga Qeveria

Nisma për Kosovën ka hapur fushatën zgjedhore në qytetin e Vushtrrisë, ku banorëve të këtij qyteti u është premtuar mirëqenie ekonomike, barazi sociale e solidaritet shoqëror, ku qytetarët do të kenë mundësi të barabarta në vendimmarrje politike, sociale, arsimore e kulturore.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherit edhe kryetar i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, ka shprehur mbështetjen e tij për kandidatin e këtij subjekti për të parin e Vushtrrisë, Avdullah Vojvodën, ndërsa ka thënë se qyteti i Vushtrrisë meriton mirënjohje të madhe për mbështetjen që i kanë dhënë për 20 vjet rresht atij.

“Unë dua të falënderoj dhe të shpreh mirënjohje ndaj qytetarëve të Vushtrrisë, të cilët më kanë mbështetur për 20 vite, edhe më kanë votuar edhe më kanë mbështetur në çdo fshat të komunës së Vushtrrisë. Ne do të jemi afër këtij qyteti dhe këtyre qytetarëve, për t’i mbështetur fuqishëm me projektet tona nesër në qeverisjen lokale.

Kandidati i Nismës për kryetar të kësaj komune, Avdullah Vojvoda, ka theksuar se Vushtrria në tri mandatet e kaluara është udhëhequr nga një politikë,  e cila nuk ka arritur të trajtojë problemet e qytetarëve. Ndërsa, ka thënë se së bashku me ekipin e tij do të jenë ndryshimi për Vushtrrinë.

Ai ka thënë se si kryetar komune, zhvillimin ekonomik lokal do ta orientojë në strategjinë zhvillimore 2018-2021, duke pasur në qendër qytetarin.

 

“Nisma është alternativë më e mirë për qeverisje në komunën tonë. Nisma për Kosovën është parti e vlerave social demokrate perëndimore dhe bazën e saj e ka në barazi dhe mirëqenie sociale të qytetarëve të saj. Nisma për Kosovën promovon zhvillimin ekonomik përmes investimeve, nga fondet publike dhe vet iniciativën  biznesore për mëkëmbjen ekonomike të komunave dhe shtetit. Përkrahë dhe subvencionon bizneset private, për rritje dhe zhvillim që krijon bazë të mirë për zbutje të varfërisë”, ka thënë Vojvoda. /Telegrafi/