Site icon Telegrafi

Limaj në Suharekë: Një kryetar si Kadri Balaj, do ta kishte zili çdo komunë

Suhareka ishte komuna e radhës ku NISMA për Kosovën ka hapur fushatën zgjedhore, ku të rinjve të kësaj komunë u është bërë thirrje që t’i bashkohen Nismës për t’iu dhënë një orientim dhe mundësi për të ardhmen.

Lideri i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, në vazhdën e fushatës zgjedhore në Suharekë, ka thënë se ky qytet dhe gjithë qytetet e tjera, janë mësuar të dëgjojnë premtime, që nuk realizohen.

Ai ka lavdëruar kandidatin Kadri Balaj, nga radhët e Nismës, duke thënë se jeta dhe angazhimi i tij për lirinë e Kosovës ka dekada dhe nga këto angazhime refuzuese të pushtetit serb Balaj është zhvendosur në Tiranë për të marrë angazhimin si një nga drejtuesit e diplomacisë shqiptare.

“Suhareka ka një rast të jashtëzakonshëm që të ketë në krye një njeri me një përvojë të jashtëzakonshme profesionale. Një kryetar të tillë do ta kishte zili çdo komunë tjetër”, u shpreh Limaj.

Kandidati i Nismës për të parin e kësaj komune Kadri Balaj tha se përveç se do ta përgjysmojë buxhetin për asfalt për t’i ndihmuar bujqit, ai do të punësojë për çdo familje një anëtar.

Balaj ka thënë se është për keqardhje që të rinjtë tanë mendjen e kanë se si të ikin nga këtu dhe kjo duhet të ndalet urgjentisht tha ai. /Telegrafi/

Exit mobile version