Nisma për Kosovën ka përmbyllur fushatën zgjedhore në Gjilan. Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, tha se pas një aktiviteti mujor anë e kënd Kosovës janë në ditën e fundit të fushatës, dy ditë para vendimit që duhet të marrin qytetarët e Kosovës.
“Ne jemi fut në një projekt që besojmë se duhet të maten mirë fjala dhe ndërtimi politik. Duhet të matet mirë para se të shpaloset programi dhe zotimet për qytetarët”, tha Limaj.
Ai përmendi që edhe në zgjedhjet e kaluara kanë dal me premtime konkrete, siç është për çdo familje një të punësuar, fondi i vetëpunësimit dhe zhvillimi i bujqësisë.
“Deri sa të tjerët iu tregojnë përralla këtu në Gjilan ne kemi vendosur të punojmë për aq sa dimë dhe mundemi. Kosova ballafaqohet me probleme dhe këto probleme mund të kalohen nëse jemi shumë të bashkuar. Mund t’i kalojmë këto probleme nëse bashkohemi njerëzit që duan të punojnë dhe nëse bashkohemi me ata njerëz që nuk e mashtrojnë popullin”, tha Limaj.
Sipas tij koha e përrallave dhe e mashtrime do të përfundojë, ndërsa e ardhmja janë projektet, njerëzit që e duan punën, e ardhmja është e atyre njerëzve që bëhen zëdhënës të fermerit, zëdhënës të familjeve të varfra.
“E ardhmja është e atyre që të rinjve u japin vende të punës dhe nuk i mashtrojnë. Prandaj, mendoj se e ardhmja është e jona. Do të fuqizojmë prodhimin vendor”, tha kryetari i Nismës.
Limaj tha se Nisma dhe ata nuk do të marrin pjesë në asnjë qeveri që e përbuz shtetin e Kosovës.
Kandidati i Nismës për kryetar të Gjilanit, Bajram Hasani, tha se gjatë fushatës kanë vizituar çdo lagje dhe çdo fshat, gjatë kësaj kohe kemi parë shumë probleme që i kanë qytetarët e Gjilanit, por kanë parë edhe përkrahjen e qytetarëve për Nismën.
“Gjatë mandatit do t’i përmbushim të gjitha ato premtime që i kemi bërë. Ne nuk kemi bërë premtime por kemi bërë zotime”, tha Hasani.
Sipas tij vetëm këta muaj në krye të Ministrisë kanë dëshmuar se do t;i fuqizojnë prodhimet vendore, dhe e kanë dëshmuar se do të punësojnë njerëz.
Hasani premtoi se do të ketë çerdhe të mjaftueshme, sportistët do të krenohen me sallat dhe stadiumet.