Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, tha sot në Malishevë se ndryshimet e mëdha politike kanë filluar pikërisht në këtë vend.
Në hapje të fushatës zgjedhore në vendlindjen e tij, Limaj tha se projekti i Nismës nuk ka nisur vetëm për Malishevë, por për krejt Kosovën.
Sipas Limajt, tash pas katër vitesh NISMA është në Prishtinë, Parlament dhe Qeveri.
Limaj tha se ndihet krenar për atë që bashkë me qytetarët ka bërë për katër vjet.
Sipas tij, për këto katër vjet, Nisma ka luajtur një rol të rëndësishëm në politikën kosovare.
E kryetari aktual i Malishevës, Ragip Begaj, i cili synon edhe një mandat në zgjedhjet e 22 tetorit tha se qytetarët janë në dijeni se çka ka bërë Nisma mandatin e kaluar.
Ai premtoi se do të ndërtojnë shkolla dhe çerdhe të reja, ndërsa ka përmendur investimet që janë bërë gjatë kohës sa ka udhëhequr me Malishevën.
Ai po ashtu ka treguar se për katër vjet kanë ndërtuar 120 kilometra rrugë , 130 metra kanalizime, 35 kilometra trotuar , ndërtim të ujësjellësit, në bujqësi kanë ndërtuar 10 stalla, ndërtimin e serave e tjera.
Begaj para qytetarëve të Malishevës premtoi se fëmijët më nuk do të jenë në rrezik nga qentë endacak si dhe u shpreh i lumtur që gjatë mandatit të tij nuk është shënuar asnjë rast i vdekjes së ndonjë qytetari nga ethet hemoragjike.
Begaj premtoi se në mandatin e ardhshëm do të ndërtojnë 20 shtëpi për kategoritë e dala nga lufta.