Dy zëvendëskryeministrat Fatmir Limaj dhe Dardan Gashi kanë ftuar në takim drejtorin e KEDS-it, George Karagutoff, me të cilin kanë biseduar për një lëshim që ka hasur Qeveria në përmbajtjen e kontratave, të cilat u janë lëshuar nga ky institucion qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Fjala është për kontratat e bartjes së pronësisë së tokës nga qytetari te KEDS-i, në rastet e instalimit të trafove në pronat private të qytetarëve.
“KEDS-i ka të drejtë ta shfrytëzojë tokën private, në të cilën e instalon trafon, ose ta blejë atë, mirëpo në kontratat që pashë, në njërën prej tyre, toka falet. Me siguri, ky ishte një lëshim dhe dua ta besoj këtë”, ka thënë zëvendëskryeministri dhe ministri i Diasporës, Dardan Gashi.
Përfaqësuesi i KEDS-it është pajtuar ta përmirësojnë këtë lëshim që është bërë nga ta.
Zëvendëskryeministri Fatmir Limaj ia ka bërë me dije Karagutoff se kjo qeveri ka prioritet mbështetjen e bizneseve të vendit, andaj po i ndërmarrin masat e duhura lehtësuese për këtë kategori.
“Me këtë rast, dëshirojmë të shprehim interesim qeveritar edhe për politikat e kompanisë suaj në raport me investimet në parqet publike. Parku industrial në Suharekë dhe parqet e tjera kanë vështirësi në furnizim me energji elektrike”, ka thënë Limaj.
Gashi e Limaj apeluan te qytetarët e Republikës që kanë marrëveshje kontraktuale me KEDS-in, ditët e ardhshme, ta vizitojnë këtë kompani dhe t’i rishikojnë kontratat e tyre, për ta rregulluar lëshimin me pronësinë e tokave të tyre në raport me KEDS-in. /Telegrafi/