Kryetari i Nisma, Fatmir Limaj, të enjten ka mbajtur një takim me qytetarë dhe struktura të Nismës në Lipjan. Ai tha se Nisma në Parlament ka pasur një rol vendimtar, ndërsa porositi qytetarët që të mos i votojnë ata që nuk i njohin dhe për deputetë të cilët nuk e mbajnë fjalën.
“A do të kishte zgjedhje të parakohshme nëse nuk do të ishte Nisma, nuk do të kishte bashkim të opozitës pa Nismën”, ka theksuar Limaj.
Sipas tij, Parlamenti është për njerëz që janë të gatshëm të marrin vendime për të mirën e vendit, që janë të vendosur, por mbi të gjitha për njerëz që marrin vendime për të mirën e vendit.
Para qytetarëve të Lipjanit, Limaj paraqiti edhe programin e partisë së tij, ku tha se asnjë familje nuk do të mbetet pa një të punësuar dhe se do të krijohet fondi për vetëpunësim.
“Me Nismën do të kemi buxhetin prej 400 milionë eurove në bujqësi. Ne duam një qeveri reformatore, duam reforma në arsim, në shëndetësi”, tha Limaj.
Kryetari i Degës së Nisma në Lipjan, Heset Sahiti, tha se Nisma për Kosovën mbron interesat politike, ekonomike, sociale të qytetarëve të Kosovës.
“Nisma lufton për të krijuar mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët e Kosovës, respektimin e ligjit dhe të kushtetutës, për kthimin e besimit të qytetarëve në institucionet e Kosovës”, ka thënë ai. /KP/