Lille dhe Paris Saint-Germaini kanë luajtur pa gola në ndeshjen e xhiros së 16-të në Ligue 1.
Rafinha pati rastin e parë më të mirë, kur pas një harkimi, goditi me kokë, mirëpo topi shkoi jashtë portës.
Kur po afrohej fundi i pjesës së parë, një mundësi të mirë e pari Moise Kean, i cili pranoi një top në zonë, mirëpo në vend ishte Mike Maignan për të bërë një pritje të mrekullueshme.
Presnel Kimpembe ishte një tjetër futbollist i PSG-së që pati mundësi ta zhbllokonte rezultatin në minutat shtesë të fraksionit të parë, mirëpo sërish në vend ishte portieri vendas.
Moise Kean rrezikoi përsëri në gjysmën e dytë, derisa lojtarit të Lille, Yusuf Yazici, iu anulua një gol për pozitë jashtë loje.
Deri në fishkëllimën e fundit të gjyqtarit, asnjëra nga skuadrat nuk arriti që ta gjente rrjetën dhe i ndanë pikët.
Lille mban kreun e tabelës me 33 pikë, aq sa ka edhe Lyoni, derisa Paris Saint-Germaini ka një pikë më pak. /Telegrafi/